Arbëri

“Çnjohja” e Kosovës nga Scopus

Në shtator të vitit të shkuar platforma për indeksimin e revistave shkencore, Scopus, njohu Kosovën duke e vendosur emrin e saj në punimet e komunitetit hulumtues kosovar. Por, situata ka ndryshuar. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se nuk i di arsyet e kësaj dhe bëri të ditur se është ankuar në Holandë, shtetin ku Scopus ka selinë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar të martën se puna shkencore e hulumtuesve kosovarë është duke iu njohur sërish shtetit të Serbisë.

Në shtator të vitit të shkuar kjo ministri njoftoi se platforma për indeksimin e revistave shkencore, Scopus, njohu Kosovën duke e vendosur emrin e saj në punimet e komunitetit hulumtues kosovar.

Por, situata ka ndryshuar dhe ministrja Nagavci në konferencën për media ka thënë se nuk i di arsyet e kësaj.

“Në momentin që e kemi vërejtur se pa asnjë paralajmërim përsëri kanë filluar të rishkruhen me emrin e Serbisë, ne kemi filluar direkt komunikimin me përfaqësuesit e Scopus në Holandë. Kemi adresuar disa e-maila zyrtare. Personalisht kam kërkuar letër formale zyrtare përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe synimi ka qenë që të rregullohet kjo çështje”, ka thënë ajo.

Ministrja tregoi se për këtë çështje ka biseduar edhe me ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, së cilës i ka kërkuar mbështetje në proces të rinjohjes.

Ministrja Nagavci foli edhe për përfundimin e vitit shkollor në nivelin parauniversitar, i cili nisi me një muaj e një javë vonesë për shkak të grevës së mësimdhënësve. Ajo ka thënë se bazuar në raportet që ka pranuar nga drejtoritë komunale të arsimit, planprogrami mësimor është realizuar.

“Nuk kemi ndonjë informatë apo raport nga komunat që nuk është zëvendësuar ndonjë ditë. Gjithsesi në raportet që bëhen nga drejtoritë e komunave adresohet edhe realizimi, në përgjithësi ka qenë se është realizuar planifikimi i mësimit”, ka thënë ajo.

KOHA ka raportuar muajin e shkuar se planprogrami mësimor nuk është zhvilluar në tërësi. Disa mësimdhënës kanë treguar se janë detyruar t’i reduktonin njësitë mësimore për ta përfunduar vitin shkollor.