Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin e mësimdhënësve që nga e hëna të fillojë procesi mësimor. Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, teksa është zotuar se do të punohet me intensitet për të përmirësuar legjislacionin për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës.
Të shtunën, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës njoftoi për pezullim të grevës deri në janar. Që nga 25 gushti mësimdhënësit janë në grevë të përgjithshme, me kërkesën për shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove, derisa të miratohet dhe të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave. Qeveria nëpërmjet pakos për përballje të inflacionit ua ofroi nga 50 euro në muaj deri në dhjetor.
Nagavci ka ftuar të gjithë akterët për bashkëpunim të shtuar në procesin mësimor.
“Kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, dt.3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ. Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës. Do të vazhdojmë vizitat e takimet në komuna e shkolla për të dëgjuar e adresuar secilën brengë e ide të nxënësve, mësuesve, prindërve e udhëheqësve të shkollave. Një muaj i humbur i mësimit është një dëm i madh, andaj dhe puna e angazhimi i të gjithë neve për të përmirësuar këto humbje, duhet të jetë edhe më i madh”, ka thënë Nagavci.
Ajo është zotuar se do ta ketë në vëmendje përmirësimin e kushteve të punës në çerdhe e shkolla, ofrimin e mundësive të barabarta për nxënësit e studentët.
Ministrja ka përmendur projektligjin për paga, që është në konsultim publik, duke thënë se me të trajtohen dinjitettshëm mësimdhënësit.
“Ashtu siç kam vepruar që nga dita e parë e detyrës, jam e hapur për dialog social, angazhim të përbashkët në përmirësim të kushteve të punës, rezultateve në arsim si dhe avancim të pozitës së mësimdhënësve. Mirëpresim dialogun social e bashkëpunimin e sinqertë, ashtu si urojmë që për të gjithë interesi më i mirë i fëmijëve të jetë në radhë të parë”, ka thënë Nagavci.