Çmimet e prodhimit në tremujorin e dytë të këtij viti u rritën në krahasim me tremujorin e parë të 2025-tës. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 11,3%.
Në krahasim me tremujorin e parë, çmimet e prodhimit në Kosovë u rritën për 4,1% në tremujorin e dytë.
“Ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16,7%); shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9,3%); prodhimi i veshjeve (6,7%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4,2%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2,5%); prodhimi tjetër p.k.t. (1,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (1,6%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (1,4%); përpunimi i produkteve ushqimore (0,8%); nxjerrja e xehes së metalit (0,3%); prodhimi i pajisjeve elektrike (0,3%); prodhimi i tekstilit (0,2%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (0,1%)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Kurse, çmimet e prodhimit sipas ASK-së u ngritën për 11,3% mes tremujorit të dytë 2025 dhe tremujorit të dytë 2024. Ngritje më të mëdha u vërejtën te energjia elektrike, gazi, avulli, furnizimi me ajër të kondicionuar, përpunimi i produkteve farmaceutike, prodhimi i mobilieve, mjeteve motorike, veprimtaritë e trajtimit të mbeturinave, prodhimi i veshjeve, riprodhimi i mediave të incizuara, furnizimi me ujë, prodhimi i tekstilit, pajisjeve, drurit, përpunimi i produkteve ushqimore, prodhimi i produkteve prej letrës, i lëkurës, i produkteve kimike, e të tjera.
