Gjatë pyetjeve të tij, Prokurori Matt Halling ia prezantoi dëshmitarit Ëesley Clark një pjesë të librit të gjeneralit Mike Jackson nga një takim me Hashim Thaçin dhe komandantët e zonave përpara se të përfundonte demilitarizimi i UÇK-së.
Në libër, Mike Jackson fliste për periudhën pak momente përpara se Clarku të bëhej pjesë e këtij takimi.
Në këtë rast, ai kishte treguar se Thaçi i inatosur i pati thënë se askush nuk mund të luante me UÇK-në, raportoi “Betimi për Drejtësi”.
“Negociatat u bënë shumë të tensionuara…Thaçi na tha i inatosur ‘askush nuk luan lojëra me UÇK-në’. Ai na bërtiti duke e thënë këtë gjë. Në qoftë se ju mendoni se mund të na jepni ju udhëzime, atëherë e keni gabim dhe do ju vijë keq për këtë”, lexoi prokurori nga libri i Jackson.
Clarku tha se me shumë gjasa ka qenë i informuar për këtë gjë dhe Jacksoni do t’ia ketë thënë.
Më tej ai u pyet nëse është e vërtetë që Hashim Thaçi ka pasur kompetencë politike që ka qenë e ndryshme nga kompetenca apo autoriteti i ushtarëve me të cilët ai fliste.
Ai shtoi se siç i ka parë ngjarjet ai, Agim Çeku ishte përgjegjës.
“Flitej për një organizatë rezistence që kishte mbështetjen e NATO-s dhe ndjesia ishte që Serbia do të dëbohej... Mënyra se si i kam parë unë ngjarjet është se Çeku ka qenë personi përgjegjës... Thaçi ishte person ambicioz, i artikuluar, i prezantueshëm, por sa i takon kontrollit, pa diskutim se nuk ka pasur kontroll, absolutisht nuk e kam parë një gjë të tillë. Bëhej fjalë për grupe individuale që thjeshtë po luftonin për mbijetesën e tyre”, është shprehur ai.