Arbëri

Çitaku: Kurti po e dërgon Kosovën në humnerë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me “qasjen e tij po e dërgon Kosovën në humnerë”.

Në ditën kur u arrestuan dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmen nën dyshimet për dallavere me rezervat shtetërore, PDK-ja ka kërkuar shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Çitaku i ka quajtur skandaloze mënyrat se si bartësit e institucioneve u janë përgjigjur aferave.

“Pavarësisht dyshimeve tona të bazuara të shpërfaqura në audioincizimet e publikuara për përfshirjen e drejtpërdrejtë të ministres Hajdari në këtë aferë, përtej përgjegjësisë penale, bartësit e institucioneve shtetërore kanë edhe përgjegjësi publike, morale. Dhe ministrja Hajdari do të duhej shkarkuar automatikisht menjëherë pas publikimit të përgjimeve ku ajo personalisht duket të ketë ndikuar që kontrata në fjalë t’i jepet personit që u arrestua sot, që mes tjerash del të jetë mik i afërt i kryeministrit Kurti. Në tërë këtë histori, më skandaloze se aferat vet ka qenë mënyra se si bartësit e institucioneve u janë përgjigjur këtyre aferave. Në rastin më të mirë ka pas injorim a heshtje, e në rastin më të keq, reagim histerik jo ndaj personave të përfshirë, por mediave që kanë publikuar skandalet dhe policëve e prokurorëve që i kanë hetuar ato. Shpresojmë që shkarkimi të jetë i menjëhershëm sepse për dorëheqje shihet që s’bëhet fjalë sepse e njëjta ministre ka qenë edhe në të kaluarën në afera të ndryshme”, ka thënë Çitaku.

Sipas saj, “emërues i përbashkët i të gjitha aferave, është kryeministri Albin Kurti”. Në këtë listë ajo ka përfshirë edhe rastin e ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, drejtorin e KEK-ut Nagip Krasniqin e asamblistin e Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci, i arrestuar nën dyshimet për trafikim droge në Shqipëri.

Çitaku ka thënë se Kurti në vend se t’i mbështesë organet e rendit “ka bërë diçka krejtësisht të paprecedent në historinë e Kosovës”, duke e akuzuar për sulme ndaj gjyqtarëve e prokurorëve e hapje të luftërave me biznese e shoqërinë civile.

“S’e kam të qartë se çfarë epilogu po synon, sepse kjo nuk është Kosova të cilën e kanë premtuar përgjatë viteve të gjata në opozitë dhe fushatë zgjedhore. Kosova sot fatkeqësisht është më e polarizuar nga brenda se asnjëherë më parë dhe në të njëjtën kohë me raporte ekstremisht të cenuara me aleatët tanë. S’na ka mbetur asnjë mik. Me gjenialitetin e tij, kryeministri ka arritur që t’i rrezikojë raportet edhe me fqinjët tanë të menjëhershëm, me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut - i pamë ndërhyrjet e para disa dite atje. Fatkeqësisht, një qasje e tillë po e dërgon Kosovën drejt një humnere dhe kam dronë se nëse nuk ndërpritet ky trend, Kosovës do t’i bëhen disa dëme të pariparueshme. Pushteti dhe qeverisja s’janë çdo gjë. S’i duhet askujt që ta qeverisë një Kosovë të shpopulluar sepse kemi largim masiv të të rinjve. E di që ka pasur edhe ma herët, por asnjëherë s’ka qenë në numrat që është tani. Kemi shpopullim, kemi varfërim të Kosovës, armiqësim dhe izolim të Kosovës me të gjithë miqtë e aleatët tanë. Një Kosovë e tillë s’i duhet askujt”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.

Çitaku ka thënë se partia e saj beson se mënyra më e mirë për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e reja.

Ajo ka akuzuar Kurtin për prishje të raporteve me aleatët e për prodhim të krizave të njëpasnjëshme. Ajo ka kritikuar Qeverinë edhe për iniciativën për udhëzim administrativ për peticione për largimin e katër kryetarëve të komunave në veri të vendit duke e cilësuar të rrezikshme iniciativën. Çitaku ka thënë se për çështjen e kryetarëve në veri “duhet marrëveshje politike, përmes së cilës katër kryetarët japin dorëheqje e në të njëjtën kohë sigurohet pjesëmarrja e qytetarëve serbë në zgjedhjet e radhës”.

Për vizitën e Kurtit në Maqedoni dhe takimet vetëm me opozitarët shqiptarë e jo me zyrtarët e pushtetit, Çitaku ka thënë se “s’është hera e parë që kryeministri synon të ndërhyjë në proceset e brendshme zgjedhore”, duke e përmendur edhe atë të Shqipërisë të para disa viteve.

“Për aq kohë sa është kryeministër, duhet të ketë kujdes sepse përfaqëson shtetin dhe jo vetëm Lëvizjen Vetëvendosje. Kam dronë që s’po arrin ta kuptojë se nuk është më lider i një grupacioni politik, por është kryeministër dhe si kryeministër përtej privilegjeve të xhipave e truprojave, me të cilët po e shohim tërë kohën, ka edhe përgjegjësi”, ka shtuar ajo.

Duke komentuar arrestimin e Mujecit në Shqipëri, Çitaku ka thënë se rasti “shpërfaq arrogancën e eksponentëve të VV-së”.

“Aq të verbuar nga pushteti e aq shumë të plotfuqishëm po e kanë ndjesinë për vetveten sa që po mendojnë se është në rregull të transportohet drogë e të përdoret pozicioni zyrtar për të krijuar benefite...”, ka thënë ajo duke shtuar se vendimi për përjashtim të Mujecit nga VV-ja është “dashur të shihet edhe te rastet tjera duke përmendur ambasadorin Berishaj e drejtorin e KEK-ut. Sipas saj, “ajo që po lihet të kuptohet është se ka ndërlidhje të thellë e të drejtpërdrejt të strukturave më të larta vendimmarrëse të VV-së me personat në fjalë dhe zyrtarët e lartë të VV-së më shumë se që po synojmë t’i mbrojnë personat e apostrofuar duket se po duan ta mbrojnë veten e tyre”.

Çitaku në fund ka thënë se “Kosova në asnjë fushë nuk është më mirë se që ka qenë para dy apo tre vjetësh”.

“Ndoshta dëmi më i madh që Kurti dhe VV-ja i kanë shkaktuar shoqërisë është humbja e shpresës”, ka deklaruar ajo.