Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë përpjekje për ta çuar përpara dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndryshe nga më parë që siç thotë ai, angazhimi i SHBA-së ka qenë i pamjaftueshëm.
Çipa shtoi se për marrëveshjen përfundimtare duhet kohë.
“Angazhimi i Escobarit tregon se ka përpjekje për ta shtyrë dialogun dhe lidhet me më shumë se thjesht reciprocitetin. Ndoshta marrëveshja përfundimtare është herët për tu paraparë në horizont, por ka përpjekje për të bërë hapa përpara substanciale pasi ndërmjetësimi që ka bërë SHBA deri sot ka qenë i pamjaftueshëm në këtë aspekt”.
Çipa ka thënë se mund të pritet angazhim më i madh i SHBA-së në dialog e madje edhe i Sekretarit amerikan, Anthony Blinken.
“Nëse më përpara kishte aktivizim ku SHBA-ja ishte primar duket se SHBA ka marrë rol më protagonist të drejtpërdrejt, duke iu referuar aktivitetit diplomatik të Escobarit. Ka një lloj koordinimi më të madh të Departamentit të Shtetit në çështjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk do ishte e çuditshme të kishim protagonizëm në nivele edhe më të larta të diplomacisë amerikane dhe të sekretarit Blinken në përpjekjen për ta çuar përpara një hap në dialog”.
Çipa në Interaktiv të KTV-së komentoi deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se Serbia ishte e përgatitur në bisedime, por pala tjetër jo. Ai tha se Hill këtë deklaratë e ka bërë duke iu referuar Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, Kosova duhet të japë një zgjidhje lidhur me asociacionin.
“Deklarata e Hill lidhet me çështjen e asociacionit. Është çështje që Serbia investon shumë për të treguar një lloj hezitimi të Kosovës në dialog dhe për të fshehur qëllimin e saj destruktiv. Është çështje në të cilën Kosova duhet të vendosë se si do t’i qaset sepse është përsëritur nga partnerët ndërkombëtarë se duhet zgjidhje. Escobar ka treguar se si mund të jetë zgjidhja për këtë. Kosova duhet të ofrojë një platformë se si duhet të jetë”.