Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Camaj: Konspiracioni rreth koronavirusit rrezikon parandalimin e tij

Lindita Camaj, ligjëruese e lëndës “Problemet e dezinformimit medial”, në Universitetin e Houstonit në SHBA, ka folur rreth gjendjes që po mbretëron atje si pasojë e pandemisë së koronavirusit COVID-19.

Ish-gazetarja e Kohës, thotë për “Express Intervistën” në KTV se guvernatori i shtetit të Teksasit ka shpallur gjendjen emergjente nga e premtja, por karakteristikë e Teksasit, për dallim nga New Yorku, restorantet dhe bizneset tjera vazhdojnë të jenë të hapura.

“Në Universitetin ku punoj unë, kemi qenë në pushim pranveror, dhe kthimi është shtyrë për një javë, dhe mësimdhënia do të transmetohet nga java e ardhshme online. Jeta nuk është në gjendje normale, dhe njerëzit janë shumë të kujdesshëm, po i marrin masat për të parandaluar përhapjen e virusit”, shprehet ish-gazetarja Camaj.

Ajo thotë se nga raportimet e ndryshme, shihet se njerëzit në shtetin ku jeton ajo janë të ndërgjegjshëm, po ndërmarrin masa individuale, e po u shmangen vendeve publike ku janë mbi 50 veta në një hapësirë.

Camaj thotë se roli i mediave duhet vlerësuar shumë sepse ato përballen me virusin në vijën e parë të frontit.

“Gazetarët janë në frontin e parë të rrezikut, duhet të aplaudohen dhe t’ua mirënjohim rrezikun me të cilin ballafaqohen për të na ofruar lajmet e sakta. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ku të marrim informatat. Situata me problemin e dezinformatave për koronavirusin është aq alarmante sa që OBSH-ja ka shprehur mendimin se përveç epidemisë, po ballafaqohemi edhe me një infodemi. Pra, niveli i dezinformatave është aq i lartë sa që mund të ketë pasoja shumë të këqija për parandalimin e kësaj epidemie. Nga analizat, del se dezinformatat për koronavirusin janë fokusuar në dy kategori: konspiracionet rreth prejardhjes së virusit, p.sh. në SHBA kemi parë shumë informata se ai e ka burimin në Rusi, Kinë apo Iran, se është një armë biologjike e SHBA-së. Të gjitha janë teori konspiracioni. Por, ajo që është më alarmuese është numri i dezinformatave në kategorinë e dytë, që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën ‘shërimet magjike’. Kemi shumë postime që inkurajojnë njerëzit të marrin këtë apo atë ilaç apo vitaminë, por që s’kanë kurrfarë bazash. Janë shqetësuese edhe postimet që i dekurajojnë njerëzit që të testohen. Kemi parë shumë postime që e minimizojnë rrezikun e këtij virusi. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm për burimin e informatave”, theksoi ajo.

Edhe Mitet e konspiracionet e shumta për koronavirusin Lifestyle Mitet e konspiracionet e shumta për koronavirusin

Camaj thotë se sipas një firme kibernetike në SHBA, “Checkoint”, nga fillimi i vitit, janë regjistruar më shumë se 4 mijë faqe interneti që kanë të bëjnë me koronavirusin.

“Parashihet se rreth 3 për qind e tyre janë qëllimkëqija dhe 5 për qind janë të dyshimta. Pra, duhet të mos u besojmë burimeve të regjistruara 1 muaj më parë”, u shpreh Lindita Camaj.