Arbëri

Cakolli: Presidentja ta caktojë sa më parë datën e zgjedhjeve

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga KDI, thotë se presidentja e vendit Vjosa Osmani, duhet që sa më parë të shpallë datën e zgjedhjeve. Sipas Cakollit, sa më shumë që shtyhet kjo datë, aq më shumë afrohet vendi në skenarë të pasigurt kushtetues.

Kjo deklaratë e Cakollit vjen pasi sot dështoi të votohet qeveria me mandatarin e ri, Glauk Konjufca.

“Sa më shumë që Presidentja e vonon shpalljen e datës së zgjedhjeve, aq më shumë rritet rreziku për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm. Çdo ditë e humbur sot i ngushton opsionet ligjore, i shtyn afatet dhe e afron vendin me skenarë të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal. Sipas afateve aktuale – edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk janë plotësisht konsistentë në mënyrën se si përcaktojnë dhe përllogarisin afatet – datat reale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme mbeten 21 dhe 28 dhjetori”, ka shkruar në Facebook, Cakolli.

Cakolli tutje ka thënë se nëse vendimmarrja e presidentes shtyhet pas 22 nëntorit dhe rrejdhimisht data 21 dhjetor bie si opsion, atëherë zgjedhjet në janar bëhen rrezik shumëfish më i madh për arsye buxhetore.

“Por nëse konsultimet dhe vendimmarrja përkatëse e Presidentes shtyhen pas 22 nëntorit, edhe 21 dhjetori bie si opsion, duke i shtyrë zgjedhjet potencialisht drejt janarit. E zgjedhjet në janar përbëjnë rrezik shumëfish më të madh, sepse nëse ato nuk mbahen brenda këtij viti, zgjatja automatike e ndarjeve buxhetore vlen vetëm për muajin janar, por jo edhe për shkurt”, ka shkruar mes tjerash Cakolli.

Pas seancës, në të cilën i mandatuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i mori votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, edhe PDK-ja e LDK-ja kanë kërkuar veprim të shpejtë nga presidentja në drejtim të shpalljes së datës së zgjedhjeve.