Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë dhe ndarja e masave të tjera financiare, është veprim i jashtëligjshëm dhe me ndikim të qartë elektoral.
Sipas tij, ndarja e mjeteve financiare në këtë fazë, përfshirë edhe masa të tjera të miratuara ditëve të fundit, nuk janë aktivitete të domosdoshme dhe nuk janë të parashikuara as në buxhetin vjetor e as në planin e punës së qeverisë — i cili, sipas tij, nuk është as publik.
Kjo, sipas tij, përbën shkelje të Ligjit për Qeverinë, i cili kufizon kompetencat e një qeverie në detyrë vetëm në çështje rutinore dhe të domosdoshme.
“Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për ‘çështje rutinore apo të domosdoshme’, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka theksuar se përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.
“Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët”, është shprehur tutje ai.