Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë e ka larguar nga puna sinjalizuesin që kishte folur për dyshimet për dallavere me rezervën shtetërore.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës këtë e ka quajtur frikësim për sinjalizuesit potencialë nga ekzekutivi.
“Përveç që është shkelje e frymës së Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve që është përkrahur nga VV-ja, besoj se është tendencë jo vetëm për disiplinim të zyrtarëve aktualë por edhe frikësim për sinjalizuesit potencialë mbi atë se çfarë i pret nëse ndjekin një procedurë të sinjalizimit. Largimi i tyre është mesazh se ju nuk duhet të lajmëroni raste të tilla, por nëse e bëni ju pret largimi nga puna”, ka thënë ai.
Cakolli ka folur mbi raportin e Transparency International e cila ka renditur Kosovën në vendin e 83 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2023. Sipas rezultateve, Kosova në luftën kundër korrupsionit qëndron më mirë se Shqipëria, Serbia e Bosnjë e Hercegovina, ndërkohë që para saj janë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Cakolli ka thënë se në raport janë përmendur dy raste specifike që kanë ndodhur në Kosovë vitin e kaluar e që janë lidhur me korrupsion.
“Raporti i TI kur përmend ndërhyrjet e ekzekutivit në gjyqësor përmend përveç bazës deklarative përmend dy raste, largimi nga detyra i shefit të njësisë së hetimeve brenda PK-së dhe çështja e pengimit të konstituimit të komisionit hetimor për rezervat shtetërore. Në rastin e parë pse ky rast ka gjetur hapësira të madhe në raport, është sepse ky njësit ka qenë duke e hetuar rastin e Nagip Krasniqit, madje thuhet edhe të Martin Berishajt. E dyta, raporti flet për tendencë të pengimit të ushtrimit të mandatit të tij”, ka thënë ai.
Cakolli ka shtuar se në vend sistemi i drejtësisë dështon në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Ka thënë se edhe në raste dënimi, të dënuarit dënohen me dënime të buta.
“Që dështon sistemi i drejtësisë në trajtimin e rasteve të korrupsionit nuk nevojitet të jesh ekspert për ta parë, nga vetë numri i rasteve. Në 2-3 vitet e fundit shumica e rasteve penale të korrupsionit përfundojnë me dënime alternative. Në Kosovë ka një kulturë të instaluar të pandëshkueshmërisë ndaj korrupsionit”, ka thënë ai.