Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bytyqi zotohet të mbështesë Kaçanikun në infrastrukturën shkollore

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar komunën e Kaçanikut, ku ka “shprehur shqetësimin për ngecjen në përmirësimin e infrastrukturës shkollore në këtë komunë”.

Sipas njoftimit nga MASHT, ai ka ofruar bashkëpunimin e ministrisë që udhëheqë.

Në Kaçanik, Bytyqi është takuar me kryetarin e komunës, Besim Ilazi.

“Po mundohemi që me secilën komunë të kemi bashkëpunim dhe takime sa më të shpeshta. Bashkëpunimi i duhur jep rezultate të mira. Organizimi i Testit Pisa ka dëshmuar se kur angazhohemi me përgjegjësi të lartë nuk mungojnë rezultatet. Duhet të shohim mundësitë e ecjes përpara, në mënyrë që të mos pengohet ngitja e cilësisë në arsim”, ka thënë ai.

Bytyqi ka kërkuar nga mësimdhënësit në Kaçanik “ngritjen e përgjegjësisë profesionale dhe qasje sa më korrekte në detyrat që kanë, në mënyrë që bashkë me nivelin qendror t’i qasen zgjidhjes së problemeve në sistemin arsimor”.

Në anën tjetër, Ilazi ka thënë se Kaçaniku me buxhetin që ka e ka pasur të pamundur të bëjë diçka më shumë në infrastrukturën shkollore.