Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett dhe drejtoreshën e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, me të cilët është biseduar për sistemin arsimor në vend.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është fokusi i përbashkët për të ndërtuar një sistem arsimor me cilësi, e të vyer për vendin, shoqërinë dhe ekonominë.
“Në takimin e sotëm u pa si nevojë që në themelet e procesit të ketë transparencë, profesionalizëm dhe ruajtje te sistemit që të mos bie në margjina politike”, shkroi Bytyqi.
Ai shtoi se vëmendja e pareshtur amerikane në përkushtimin dhe gatishmërinë në krah të arsimit tonë dhe ndërtimit të një sistemi funksional e profesional na bënë të shtojmë besimin se mund t’ia dalim.
“Siç e shprehi edhe Ambasadori Kosnett, sistemi i arsimit i bazuar në merita dhe transparencë është i domosdoshëm për t’ua mundësuar të gjithë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e saj”, vijoi Bytyqi.
Ministri i Arsimit u shpreh se dikasteri që drejton ka shumë çfarë të konsultojë e mësojë nga tradita amerikane.
“Duke qëndruar në krye të detyrës ne do të ia dalim ta bëjmë arsimin tonë një bazë suksesi për shoqërinë dhe ekonominë tonë”, përfundoi Bytyqi.