Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë hapur edicionin e diskutimit me nxënës “EU Teach a Day” në gjimnazin “Xhevdet Doda”, në Prishtinë.
Përmes kësaj ligjërate, ata i ftuan nxënësit që të studiojnë në ato fusha, ku Kosova ka mungesë të kuadrove dhe të shikojnë perspektivën evropiane të vendit.
Ministri Bytyqi tha se dikasteri që ai udhëheqë është i përkushtuar në ofrimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë në Kosovë, ndërsa i sugjeroi ata që të këshillohen dhe të identifikojnë talentin e tyre, përpara se të përzgjedhin profesionin.
“Duke u orientuar në karrierë ju do të jeni lider të ardhmes tonë, mos ngurroni të kërkoni përkrahjen tonë që vërtetë ju të orientoheni drejtë dhe të jeni e ardhmja”, u shpreh ministri.
Ministri Bytyqi theksoi se, të rinjtë duhet të shohin edhe përparësitë e sektorit privat të punës dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, për të cilin Kosova ka nevojë.
Duke folur për rëndësinë e përcaktimit në karrierë, ministri foli për fushën e energjetikës, si një ndër sektorët me perspektivë në të ardhmen, pasi parashihet që të investohen miliona.
“Ka shumë vende pune, por kemi mungesë të rinjve në ato drejtime”, tha Bytyqi.
Edhe
Bytyqi: Duam të ndërtojmë një sistem arsimor cilësor
Bytyqi tha se sistemi i edukimit nuk ka arritur maksimumin, por perspektiva evropiane e të rinjve është e garantuar.
Ndërsa, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova foli për procese të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës dhe rëndësinë e orientimit të të rinjve në karrierë.
Ajo theksoi se po hapet një edicion për të diskutuar për edukimin në Kosovë, të ardhmen e nxënësve dhe orientimin në profesionin që ata e duan.KsP