Arbëri

Bytyçi: Partitë kanë bërë keqkalkulime nga zgjedhjet lokale, s’pritet ndryshim i madh në rezultat

Analisti politik Seb Bytyçi, ka deklaruar se ka qenë e pritur që të mos ketë votim të qeverisë Konjufca duke i parë zhvillimet dhe deklarimet e fundit të partive politike.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Bytyçi tha se pavarësisht se vendi po shkon drejt zgjedhjeve, nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të madh nga rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas tij, mund të ketë keqkalkulime nga partitë duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve lokale.

 “Vështirë të thuhet, nuk pritet të ketë ndryshim të madh në rezultat, në përqindjet e partive kryesore. Mund të ketë keqkalkulime nga partitë duke u bazuar nga rezultati i zgjedhjeve lokale, sidomos nga disa parti të shkohet me mbi-konfidencë në zgjedhje. Mirëpo, është një fenomen që quhet ‘lodhja me zgjedhjet’ dhe definitivisht do të shihet ky fenomen në zgjedhjet e ardhshme ku përqindja nuk do të jetë e lartë. Kjo do të rezultojë me një situatë ku pak a shumë janë forcat e njëjta dhe përsëri detyrohen të bëjnë ndonjë koalicion”, deklaroi Bytyçi.

Ai poashtu tha se tashmë jemi edhe më afër përfundimit të mandatit të presidentes dhe pashmangshëm do të ketë nevojë për marrëveshje për këtë post.

Sipas Bytyçit kjo do të jetë edhe pjesë e negociatave paszgjedhore dhe parashikon që PDK e LDK do të synojnë ndonjërin post, të kryeministrit apo postit të presidentit.

“Ajo që ndryshon është se jemi më afër përfundimit të mandatit të presidentes dhe nevojës për një marrëveshje për zgjedhjet e presidentit të ri. Ajo do të jetë pjesë e negociatave paszgjedhore. Dy partitë kryesore opozitare PDK dhe LDK do të synojnë që të kenë ndonjërin post ose të kryeministrit ose të presidentit”, deklaroi në emisionin “60 Minuta” në KTV, analisti Bytyçi.

Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën. Pro formimit të propozimit qeverisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.

Konjufca ishte mandatari i dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, më 26 tetor Albin Kurti dështoi në votimin e parë. Pas tij presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor e mandatoi Konjufcën.

Me rastin e dështimit të Konjufcës, tani presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.