Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi mori pjesë në prezantimin “Të arriturat në sektorin e arsimit fillor në Kosovë 2010-2018 dhe synimet për të ardhmen”, ku u shpalosën të gjeturat në sektorin e arsimit fillor në fushat: transparenca dhe llogaridhënia, gjithëpërfshirja, ngritja e kapaciteteve të udhëheqësve arsimor dhe cilësia e mësimdhënies.
Bytyqi, në këtë konferencë foli për rëndësinë e ndryshimit të qasjes së mësimdhënësve, nxënësve, prindërve dhe të gjitha palëve të interesit dhe veprimin e tyre së bashku, për ta bërë arsimin prioritetin numër një në Kosovë.
Siç njofton komunikata nga kjo Ministri, Bytyqi falënderoi GIZ-in për angazhimin e jashtëzakonshëm, si një nga partnerët kryesor në reformat e nevojshme në sistemin arsimor, përmes përvojave dhe praktikave të mira të sistemit arsimor të Gjermanisë.
“MAShT në bashkëpunim me partnerët e saj ka punuar që arsimi në Kosovë të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe kualitativ. Gjermania na ka mbështetur në këtë drejtim, por ende kemi nevojë për përkrahjen e saj në hapat që na presin”, ka thënë ministri Bytyqi.
Në Konferencën ku u prezantuan të gjeturat në sektorin e arsimit në Kosovë brenda periudhës 2010-2018, të pranishëm ishin edhe Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit Parlamentar të Arsimit dhe David Oberhuber, drejtor i zyrës së GIZ-it në Kosovë.
-
Bytyqi: Interesimi i nxënësve kah shkollat profesionale është lajm i mirë për vendin
-
Ministri Bytyqi e vlerëson me dobi fushatën “Arsimi në dorën tënde”
-
Caritas-i zviceran shton praninë në Kosovë
-
Bytyqi: Brenda 5 viteve të ardhme s’do të diskutojmë për nivel të ulët të cilësisë në arsim
-
Gjermania e Austria ofrojnë mbështetje për arsimin në Kosovë