Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se pret që Kosova e Serbia së bashku me ndërkombëtarët të gjejnë zgjidhje për çështjen e ndalimit të mallrave serbe.
Qeveria kosovare i ka ndaluar importet nga Serbia në qershor të 2023-s, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës, dhe se, përmes tyre, mund të hyjnë edhe armë në vend. Ndërkombëtarët kanë thënë se vendimi është kundër parimeve të CEFTA-s. CEFTA, ku bëjnë pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor plus Moldavia, synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve. Gjermania ka paralajmëruar se vendet e Ballkanit do të ecin përpara drejt bashkëpunimit rajonal edhe pa Kosovën.
Por Bytyçi beson se do të ketë zgjidhje, sidomos pas kërcënimeve të fundit nga Gjermania.
“Rruga më e logjikshme është që të instalohen skanerët që e bëjnë skanimin e mauneve dhe mesa di unë ka gatishmëri nga Gjermania që të ndihmohet në këtë aspekt. I kemi parë disa takime mes Gjermanisë dhe Kosovës për këtë çështje. Besoj që do të gjendet një zgjidhje, të bëhet skanimi dhe të lejohet qarkullimi i mallrave sidomos pas kërcënimit se do të lihet jashtë Procesit të Berlinit. Largimi nga Procesi i Berlinit nuk do të ndikonte shumë ekonomikisht, por politikisht po. Pres që do të ketë zgjidhje, mund të ketë edhe zgjidhje të përkohshme”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Njohësi tutje ka kritikuar Bashkimin Evropian (BE) për qasjen karshi Serbisë.
“Shtetet problematike ndoshta krijojnë probleme vetëm për të marrë vëmendje. Perëndimit ka gabuar me qasjen ndaj Serbisë pasi vazhdimisht i ka kushtuar vëmendje. Kjo është reflektuar në rajon dhe kritikat e fundit (ndaj Kosovës) duhet të shihen në këtë kontekst”, ka shtuar ai.
Sipas Bytyçit, Qeveria e Kosovës nuk pritet të heqë dorë nga qëndrimet karshi veriut sidomos në këtë periudhë zgjedhore.