Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar se rreth 80 për qind të lëndëve për vjedhje të energjisë elektrike nuk janë shqyrtuar nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor.
I ftuar të martën në emisionin “60 Minuta” në KTV, Buzhala ka thënë se janë dërguar rreth 5000 lëndë secilin vit, por janë shqyrtuar rreth 1000.
Sipas tij, sistemi gjyqësor i është përgjigjur këtyre rasteve të raportuara nga KEDS-i për vjedhje të rrymës, por jo në mënyrë të kënaqshme.
“Tani ka lëvizje edhe nga institucioni, policia na ka ndihmuar shumë në këtë drejtim, por sa i përket sistemit prokurorial dhe gjyqësor nuk kanë qenë shumë bashkëpunues, pasi kanë bërë që rreth 80 për qind të lëndëve të mos shqyrtohen. I kemi dërguar diku rreth 5000 lëndë secilin vit ndërsa janë shqyrtuar rreth 1000. Aty pushon forca jonë në luftimin e humbjeve. Ne e kemi kryer detyrën tonë por sistemi i gjyqësisë nuk është përgjigjur në mënyrë të kënaqshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, vjedhja e energjisë elektrike është vepër penale për të cilën njerëzit duhet të dënohen me burgim.
“Vjedhja e energjisë elektrike është vepër penale dhe njerëzit duhet të dënohen me burg për këtë çështje në mënyrë që kjo çështje nacionale të rregullohet. Pra, kjo është çështje nacionale dhe duhet të shihet në atë mënyrë. Ka qenë nivel i lartë i vjedhjeve, është zvogëluar dhe duhet zvogëluar edhe më tutje”, ka shtuar ai.
Shqetësimi për vjedhjen e energjisë elektrike, sipas Buzhalës çdo herë e më shumë po zvogëlohet.
“Ky shqetësim ka ardhur duke u zvogëluar. Nga 31 për qind sot është 18 përqindja e humbjeve. Është e pamundur të ndahen humbjet teknike me ato komerciale. Nuk është i lehtë identifikimi, por ne e dimë sepse i kemi pajisjet e specializuara për identifikim. Ne e dimë sa energji elektrike hyn në trafo dhe sa faturohet më pas, diferenca është vjedhje”, është shprehur ai.
Për reduktimet e rrymës me të cilat pritet të sfidohen qytetarët këtë dimër, Buzhala ka thënë se blerje të rrymës ka në mënyrë konstante, mirëpo nuk mund të flet shumë për këtë çështje, që sipas tij është emergjente në të gjithë Evropën.
“Shpenzuesi më i madh është ngrohja. Nuk e dimë se çka na pret në dimër. Blerje të rrymës ka në mënyrë konstante. Importi ka qenë diku rreth 150 megavat deri në këto ditë. KEK-u ka furnizuar mirë, ka prodhuar deri afër 750 megavat. Çmimet fatmirësisht kanë rënë nëse e krahasojmë me verën. Jemi në situatë emergjente dhe nuk dimë, madje nuk e di askush në Evropë”, ka thënë ai.
Për vërshimet e fundit në Kosovë, Buzhala ka thënë se rajoni i Dukagjinit është prekur më së shumti nga reduktimet e ujit. Klina është një nga vendet që ka mbetur pa rrymë për një kohë më të gjatë se një ditë.
“Më problematike ka qenë në Klinë pasi aty ka pasur përmbytje dhe qytetarët kanë mbetur pa rrymë për një kohë më të gjatë, për më tepër se një ditë. Energjia elektrike në ato raste është e rrezikshme”, ka thënë ai.