Arbëri

Buxhovi: Serbët duhet të kenë një autonomi kulturore në Kosovë

Historiani Jusuf Buxhovi ka deklaruar se serbët në Kosovë duhet të kenë një autonomi kulturore në përputhje me Kushtetutën, në mënyrë që sipas tij, të kenë të drejtë të zhvillojnë identitetin kulturor e arsimor.

Ai ka thënë të mërkurën në Konfront të KTV-së se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kategori kushtetuese që Kosova duhet të zbatojë, por sipas tij, politika kosovare s’është sjell në përputhje me këtë kauzë.

“Ky do të ishte asociacion kulturor, por nuk përjashtohet edhe aspekti etnik...Është e drejtë edhe serbët të kenë një autonomi kulturore sepse vetë e dimë se çka do të thotë të kesh një autonomi kulturore. Unë ndalem te parimet dhe të drejtat elementare njerëzore. Kultura është një e drejtë që kultivohet me shekuj...Ajo parasheh një organizim që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, e ky organizim është i drejtë dhe i domosdoshëm, duke i garantuar identitetit serb të ruajë identitetin administrativ...Po flasim për probleme kulturore që një pakicë kombëtare duhet të ketë të drejtë të zhvillojë identitetin kulturor e arsimor”, ka shtuar tutje Buxhovi.

Sipas historianit dhe ish-aktivistit politik, autonomitë kanë qenë veçori kulturore e politike në Ballkan që nga mesjeta.