Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bukurshkrimi i Agim Ramadanit, publikohet tema e diplomës që e kishte shkruar me dorë

Agim Ramadani pos si patriot dhe luftëtar, ishte i njohur edhe për botën e artit. Bukurshkrimi ishte pjesë e kapaciteteve të tij krijuese, e kjo u dëshmua edhe në temën e diplomës së tij, që tërësisht e kishte shkruar me dorë.

Si ushtarak i karrierës, Ramadani kishte studiuar në fushën e komunikacionit në kazermën “Ivan Goshnjak”. Bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani, shkroi në Facebook se diploma i kishte gjithsej 70 faqe dhe e tëra ishte shkruar nga dora e Agimit, por që ende s'është përkthyer në gjuhën shqipe.

“Meqë shumë nga ju keni njohur Agimin, por nuk keni pasur rastin të njihni bukurshkrimin, përkushtimin dhe njohuritë e thella që posedonte në fushën që përcaktohej për ta studiuar, po ndaj me ju sot punën e madhe që ka bërë në temën për diplomim në drejtimin si ushtarak karriere në fushën e komunikacionit, në kazermën ‘Ivan Goshnjak’ në Zagreb. Duke qenë e bindur se edhe sot kjo temë është tejet e rëndësishme për ushtrinë tonë (FSK)e cila duhet të formësohet sa më profesionalisht që është e mundur. Më vjen keq që ende nuk kemi arritur ta përkthejmë këtë punim diplome që me kaq dashuri, përkushtim, profesionalizëm e durim u shkrua me dorën e Agimit! Ka mbi 70 faqe ,këtu po i paraqes pak nga ato”, shkroi ajo të mërkurën.

Bukurshkrimin e “Katanës” e vlerësoi edhe gazetari Enver Robelli, duke e quajtur të mahnitshëm.

“Para disa ditësh u bë viral një njoftim me bukurshkrimin e një zyrtareje të Ujësjellësit të Prishtinës. Por paska bukurshkrim përtej bukurshkrimit! Për shembull, siç mund ta vëreni këtu, bukurshkrimin e Agim Ramadanit, nga punimi i tij i diplomës, i dorëzuar më 20 janar 1987 në Shkollën e Lartë Tekniko-Ushtarake të Ushtrisë Tokësore në Zagreb të Republikës së Kroacisë. Qysh do të thoshin tinejxherët e Kosovës: Amazing”, shkroi ai.

Agim Ramadani ishte lindur më 3 maj 1963 në fshatin Zhegër të Gjilanit. Bashkëshortja e tij kishte rrëfyer ekskluzivisht për KOHËN për krijimtarinë artistike dhe jetën e Agimit.

Edhe Jeta e Katanës, nga pikturat deri te armët dhe flijimi për atdhe Arbëri Jeta e Katanës, nga pikturat deri te armët dhe flijimi për atdhe

“Gjatë rinisë, sidomos në Kroaci sa ka jetuar, Agimi është marrë me poentilizëm, punime me pika shumë të veçanta. Fatkeqësisht pjesa më e madhe është djegur, meqë kanë qenë në Kosovë. Vetëm këto punime të cilat i kem pasur në Zvicër kanë shpëtuar. Ne kemi jetuar nga veprat e Agimit dha ka shumë piktura të shitura në Zvicër. Dy zonja në Zvicër m’i kanë kthyer pikturat e Agimit si dhuratë për ditëlindje, edhe pse kanë pasur një shumë të madhe. Ndërsa shqiptarët nuk i kanë kthyer, por shpresoj që nga një kopje të arrij t’i mbledhë”, ka thënë Ramadani.

“Katana” kishte rënë dëshmor më 11 prill të 1999-s në Koshare.