Arbëri

Jeta e Katanës, nga pikturat deri te armët dhe flijimi për atdhe

Descriptive Text

Kanë kaluar 23 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani.

I njohur si “KATANA”, ai u lind më 3 maj 1963 në fshatin Zhegër të Gjilanit. Tërë veprimtarinë e tij ia kushtoi atdheut, dhe ra dëshmor më 11 prill të vitit 1999 në Koshare.

Populli e mban mend me pushkë e në mbrojte të atdheut, por paraprakisht Katana ishte i pasionuar pas pikturës, përmes së cilës e mbante familjen.

Janë mbi 500 vepra që e dekorojnë shtëpinë e tij në Zhegër të Gjilanit.

Ato janë kujtim i jetës së tij, thotë bashkëshortja Shukrija.

“Gjatë rinisë, sidomos në Kroaci sa ka jetuar, Agimi është marrë me poentilizëm, punime me pika shumë të veçanta. Fatkeqësisht pjesa më e madhe është djegur, meqë kanë qenë në Kosovë. Vetëm këto punime të cilat i kem pasur në Zvicër kanë shpëtuar. Ne kemi jetuar nga veprat e Agimit dha ka shumë piktura të shitura në Zvicër. Dy zonja në Zvicër m’i kanë kthyer pikturat e Agimit si dhuratë për ditëlindje, edhe pse kanë pasur një shumë të madhe. Ndërsa shqiptarët nuk i kanë kthyer, por shpresoj që nga një kopje të arrij t’i mbledhë”, ka thënë Ramadani.

Në rrëfimin e saj, Shukrija e quan bashkëshortin artist të vërtetë dhe dëshiron që historia ta kujtojë edhe për këtë gjë.

“Gjithçka që e ka prekur Agimi e ka shndërruar në art. Ai, po ashtu, ka qenë një këngëtar shumë i mirë, ndër humoristët më të mirë. Ka qenë person i përsosur, nuk i ka munguar asgjë nga arti, as nga kultura, por as nga njerëzorja. Kam pasur fat të madh që kam pasur një shok të tillë, për ketë më dhemb më së shumti, që populli ende nuk e njeh Agimin e vërtetë, e njohin vetëm si luftëtar që kishte dëshirë t’i thyente kufijtë shqiptarë. Por nga ana artistike e tij nuk e njohin aspak”, ka shtuar ajo.

“Që nga paslufta shpresoj dhe pres nga Ministria e Arsimit, artit, kulturës vërtet që të na ofrohet, sepse nga bagazhi i Agimit, fatkeqësisht nuk e gjejmë te asnjë luftëtar tjetër. Dëshira ime është që t’i mbledh të gjitha punimet e tij e të krijohet një muze për të, që ta njohin Agimin edhe përmes pikturave, poezive të tij. Ka qenë një poet, piktor, një i ri i dashuruar por mbi të gjitha i dashuruar në atdheun e tij, në thyerjen e kufijve që ia kanë bërë padrejtësisht të tjerët”, është shprehur Ramadani.

“Poezitë e tij janë aq të brishta, aq njerëzore dhe aq të koklavitura për atë që nuk i njeh artin dhe shpirtin e Agimit, për mua janë botë më vete. Me ringjallin dashurinë, më mbajnë të fortë dhe më bindin që dashuria është mbi të gjitha”, ka shtuar ajo.

Shukrija dhe Agimi bashkë ishin që nga fëmijëria. Dashuria e fortë e tyre theu çdo barrierë të asaj kohe.

“Ne jem rritur bashkë, të dy jem nga Zhegra. Që nga shkolla fillore kemi qenë bashkë, Agimin e kam pasur në klasë deri në klasën e 5-të. Kemi qenë dy kundërshtarët më të mëdhenj në shkollë, të dy kemi qenë nxënës të mirë dhe gjithmonë i kemi mbajtur kryesitë e shkollës. Nga ajo kundërshti e madhe fatkeqësisht apo fatmirësisht lindi edhe dashuria aq e madhe të cilën nuk di si ta shpjegoj, ndoshta sepse jam munduar që në disa sfera të diturisë u mundoja që ta kaloja dhe e xhelozoja, me këtë dhe u dashurova tmerrësisht”, ka rrëfyer bashkëshortja e Katanës.

“Tek pas kryerjes së shkollës së mesme, vendosem që bashkërisht të shkonim si mbrojtës së Kosovës, në një akademi ushtarake, ku unë nuk u pranova, sepse isha e dënuar për demonstrata të vitit 1981, ndërsa Agimi e vazhdoi akademinë ushtarake për fat të mirë. Tek atëherë i tregova familjes që jam në lidhje me Agimin, jemi fejuar në vitin 1984”, ka treguar Ramadani.

Ajo kujton kohën kur Agimi mori rrugë nga Kroacia për në Zvicër e më pas për në Kosovë.

“Pas fillimit të luftës në Slloveni, kur Agimi asokohe ishte ushtarak profesionist, Agimi vendosi që ta linte Armatën e ish-Jugosllavisë së bashku me oficerë të tjerë shqiptarë. Në atë kohë ne i kishim dy fëmijë, Jetonin dhe Edonin, dhe jetonim në Kroaci, Agimi më tha që të nisem për në Kosovë, shkaku i rrezikut të luftës. Për 3 muaj pasi erdha në Kosovë nuk kisha asnjë informatë nëse jetonte apo jo Agimi”, është shprehur ajo.

E derisa luftonte në shtete të tjera, Shukrija e dinte se Agimi nuk do të ndalej kur bëhej fjalë për atdheun. Ai la jetën në Zvicër dhe u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Që nga ai moment që kemi vazhduar jetën në Zvicër e kam ditur që do të kthehet për luftën e Kosovës. A do të shpëtonte apo jo ka qenë pikëpyetje, por unë e kam parandier se gjithë ajo dashuri nuk mund të jetë e përjetshme. E kemi pasur një dashuri që nga fëmijëria, një dashuri të veçantë që kur nuk kemi pasur nevojë për fjalë të kuptoheshim me njeri-tjetrin. E kemi kuptuar njeri-tjetrin me sy, ashtu siç ishim të dashuruar, të dashuruar mbetëm përjetësisht. Kjo më mban shumë të gjallë edhe sot, në 10 vjet sa kam jetuar me Agimin kam pasur një jetë aq të bujshme, një dashuri aq të madhe sa më mban të freskët edhe sot dhe jam falënderuese ndaj Zotit që kam tre fëmijë si drita, tri dhurata nga Agimi, të cilët kanë jetët e tyre dhe janë duke e shijuar lirinë e Kosovës”, ka rrëfyer historinë e bashkëshortit të saj, Ramadani.

“Rënien e Agimit e kuptova përmes shokëve, erdhën në banesë ku isha në Zvicër dhe më njoftuan që Agimi është plaguar. Menjëherë udhëtuam për në Shqipëri, ku dëshiroja ta takoja patjetër, meqë më thanë se vetëm ishte plagosur edhe pse e ndieja që Agimi do të më telefononte pasi që ne kishim lidhje satelitore. Vërtet thonë se shpresa vdes e fundit, dhe kjo më mbante se do ta takoja të gjallë dhe do të shkëmbeja disa fjalë me të. Fatkeqësisht kur shkova në Kosovë, Agimin vetëm se e kishin varros. Shokët e tij më morën në Shtab për të m’i dozuar gjerat e tij, por unë nuk e di se nga e mora forcën dhe thashë: armët e Agimit i dua pasi që të çlirohet Kosova, gjë që ka dashur vetë Agimi. Shpresoj që ato armë të vijën në muzeun që pret të ndërtohet. Shpresoj që amaneti i Agimit tim dhe i shumë Agimave të tjerë të përmbushet”, ka shtuar ajo.

KATANA cilësohet si njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, ku mori pjesë në betejën e përgjakshme të Koshares, e cila u zhvillua më 9 prill të vitit 1999, po ashtu ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies së tij.

Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën. Njëri nga nipat e tij mban emrin e heroit.