Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bujqit me shumë kritika ndaj ministrit Peci, i japin ultimatum deri të hënën

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, për kriteret e reja të vendosur për subvencionimin e bujqve, duke i dhënë ultimatum deri të hënën për një takim ose do të vazhdojnë protesta më të ashpra.

Këto protesta sipas tij, parashohin edhe sjelljen dhe hedhjen e plehut para ndërtesave të Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Qeverisë së Kosovës.

“Po t’i dëgjosh bujqit çka kanë thënë sot, se do të hedhin pleh ose kashtë para ministrisë dhe Qeverisë. Unë besoj që do të na dëgjojnë, ka me qenë një numër shumë më i madh herën tjetër, derisa nuk reflekton ministri Peci për t’i zbatuar këto kërkesa. Duhet të kthehen kriteret e vjetra, për 21/22 pranohen kriteret e reja megjithatë duhet të diskutojmë për disa detaje që ato të jenë sa më të lehta”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka akuzuar ministrin Peci se është kategorik dhe për këtë vendim, sipas tij, nuk është konsultuar as me bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

“Kjo është sikur të dojë dikush të krijojë pakënaqësi, të krijojë tollovi. Ministri është kategorik, nuk është konsultuar as me bujqit, nuk është konsultuar me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, me zëvendësministrat apo këshilltarët. 70% e fermerëve nuk i kanë plotësuar kriteret për subvencionim. Ne do ta presim ministrin Peci të hënën. Nëse nuk na fton në takim do të organizojmë protestë në afat sa më të shkurtër. Një numër i madh i bujqve ka mbetur pa aplikuar, pasi ka qenë e pamundshme të përgatitet dokumentacioni me këto kritere të reja. Për t’i shpëtuar bujqit nga ky ndëshkim, do të protestojmë për t’i krijuar lehtësira që bujqit të fitojnë subvencion. Një numër i madh i bujqve varen nga subvencionimi. Shumë bujq nuk e kanë tokën në emrin e vet, pasi kanë mbetur ashtu nga regjimi i Millosheviqit, apo dikush që ka ble tokë nga fqinji i vet, për shkak të procedurave burokratike nuk po munden t’i përkthejnë tokat dhe nuk po munden të fitojnë subvencionim”, deklaroi Tahiri në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Tahiri, kriteret e reja po shkaktojnë edhe dëm financiar te bujqit, pasi po duhen shumë dokumentacione, ndërsa shtoi se Peci nuk e mbajti premtimin për t’i takuar ata për të biseduar për detajet e kritereve të reja.

Edhe Bujqit paralajmërojnë protesta radikale në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre Arbëri Bujqit paralajmërojnë protesta radikale në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre

“Kriteret që i ka vendosur Ministria janë shumë më të ashpra se sa vitet e kaluara. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi dhe dëm te ata që i kanë përgatitu dokumentacionet. Kërkesë të dokumenteve të cilat deri tani nuk janë kërkuar, dhe është shkaktuar dëm financiar pasi kërkohet shumë dokumente, pagesë e taksave, noterizime. Me Pecin kemi kontaktuar më 16 gusht dhe atëherë kemi biseduar për përpilimin e një memorandum bashkëpunimi për të pas një përfaqësues në Komisione. Kemi biseduar sipërfaqësisht, sidomos për një kriter të ri që Peci e ka menduar për të fituar bujku subvencion edhe për rendiment të grurit, por ka mbetur që të flasim për detajet e këtij kriteri. Jemi pajtu me këtë masë, edhe pse për detaje nuk kemi biseduar, por Peci na ka premtuar se do të ulet të bisedojë me përfaqësuesit tanë. Kjo nuk ka ndodhur”, përfundoi ai.

Fermerë të shumtë protestuan sot me traktorë para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ata kundërshtuan kriteret e reja të subvencionimit, duke thënë se shumica e bujqve do të mbesin pa përfituar nga subvencionet. Nga Ministria ka thënë se kriteret janë përcaktuar në bazë të ligjit.