Arbëri

Britania zgjat edhe për tre vjet praninë në KFOR

Ushtarët britanikë në KFOR

Ushtarët britanikë në KFOR

Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe do të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR-in, për të paktën edhe tre vjet, deri në dhjetor të vitit 2028, ka njoftuar qeveria britanike të mërkurën. 

Njoftimi është bërë në të njëjtën ditë kur kryeministri britanik, Keir Starmer, në Londër po pret Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet bashkëpunimi rajonal për sfida të përbashkëta, siç është migrimi i parregullt.

“Përkushtimi i Britanisë ndaj paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet i palëkundur. Duke zgjatur mbështetjen tonë për Forcën e NATO-s në Kosovë, ne tregojmë rolin tonë si aleat udhëheqës i NATO-s dhe qëndrojmë pranë vlerave tona për stabilitet dhe demokraci. Bashkëpunimi me partnerët tanë në rajon është jetik, jo vetëm për stabilitetin e tyre, por edhe për sigurinë tonë në shtëpi”, deklaroi Starmer.

Ministria e Mbrojtjes britanike po përgatit gjithashtu kurs të ri trajnimi për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. Trajnimi do të fokusohet në çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e jetës së civilëve dhe promovimin e rolit të grave në fushën e mbrojtjes.

Në këtë kurs do të ftohen të marrin pjesë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Ushtarët tanë kanë kryer qindra misione në mbështetje të KFOR-it gjatë dekadave të fundit dhe kjo zgjatje e angazhimit do ta bëjë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt. Paqeruajtja është pjesë thelbësore e angazhimit tonë për ta mbajtur Britaninë të sigurt brenda dhe të fuqishme jashtë”, ka thënë ministri britanik për Forcat e Armatosura, James Heappey.

Aktualisht, Britania përqendrohet në një forcë rezervë me qindra ushtarë, të cilët mund të dislokohen në Kosovë në kohë të shkurtër nëse kërkohet. Dislokimi i fundit i madh nga Britania ndodhi në vitin 2023, pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Që nga viti 1999, Britania ka qenë kontribuuese kyçe në KFOR, që vepron në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Forcat britanike kanë ndihmuar në përmirësimin e kapaciteteve të KFOR-it në fushën e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit, duke rritur ndjeshëm aftësinë e komandantëve të misionit për të kuptuar situatën në terren dhe për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët.

KFOR-i mbetet një nga garantuesit kryesorë të sigurisë në Kosovë, me pjesëmarrjen e mbi 30 vendeve, përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.