Rishikimi që administrata e kryeministrit britanik, Keir Starmer, po u bën politikave të ndihmave të jashtme, ka çuar në uljen për 40 për qind të fondeve për të kundërshtuar agresionin dhe keqinformimin rus në Ballkanin Perëndimor. Kjo edhe pse Starmer e pati cilësuar si rajon kyç për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, ka shkruar The Guardian të shtunën.
Fondi britanik i caktuar për të forcuar luftën ndaj ndërhyrjeve të Rusisë në Ballkan, është ulur prej 40 milionë funte në vitin e shkuar në 24 milionë për 2025-26. Rusia është akuzuar se në këtë rajon po krijon ndarje dhe destabilizim.
Fondi i integruar i sigurisë (ISF) ishte hartuar për të trajtuar kërcënimet me përparësi më të lartë ndaj sigurisë kombëtare të Britanisë së Madhe, brenda dhe jashtë vendit.
Starmeri së fundmi e pati përshkruar rajonin e Ballkanit Perëndimor si “vatër vendimtare të Evropës – vend ku vihet në provë siguria e kontinentit”.
Fondet e vitit të shkuara u përdorën për të luftuar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike në rajon dhe për të forcuar institucionet demokratike e mediat e pavarura.
Ndalja e këtyre ndihmave vjen si pasojë e rishikimit të politikave për të zvogëluar ndihmën zyrtare për zhvillim për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.