Arbëri

Britania i dëbon me procedurë të përshpejtuar shtetasit e Shqipërisë

Qeveria e Britanisë së Madhe ka bërë të ditur planet për riatdhesimin e shpejtë të azilkërkuesve nga Shqipëria, që u janë refuzuar kërkesat, në kuadër të luftës kundër emigrantëve që po kalojnë ilegalisht me gomone nëpërmjet kanalit anglez.

Zyrtarët britanikë të emigracionit do të procedojnë menjëherë kërkesat e shqiptarëve që kanë hyrë në shtetin ishullor dhe të gjithë ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Britani, do të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur. Londra zyrtare ka fuqizuar praninë e rojave detare.

Agjencia për monitorimin e azilkërkuesve po mundohet t’i bindë shtetasit nga Shqipëria të mos e marrin përsipër kalimin e rrezikshëm kufitar me qëllim që të provojnë të punësohen dhe të jetojnë në Britani.

Mesazhet qeveritare po shpërndahen edhe nëpërmjet një seri reklamash në gjuhën shqipe në faqet e rrjeteve sociale.

Numri i shqiptarëve që po kalojnë ilegalisht kanalin anglez me barka të vogla është ngritur në muajt e fundit, megjithëse Britania e konsideron Shqipërinë “vend të sigurt dhe prosperues”, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme, duke i paraqitur të dhënat e fundit.

2.165 shqiptarë kanë arritur në Britani nëpërmjet kësaj rruge në gjashtë muajt e parë të këtij viti, krahasuar me vetëm 23 në të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar. Në përgjithësi, 12.747 persona kanë hyrë në Britani me barka në gjysmën e parë të vitit, apo dyfish më shumë se një vit më parë.

Shqiptarët tani po lidhen me afganët me numrin më të madh të emigrantëve që po mundohen të arrijnë me barka të vogla. Shqiptarët dhe afganët ndaras përbëjnë 18 për qind të atyre që po hynë në ishull.

Të enjten, televizioni ITN ka publikuar pamje të barkave të mbushura në Folkestone. Nuk është bërë e qartë se kush ishte në anijet e fundit ilegale. /AP