Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BQK dhe Banka Botërore me projekte të përbashkëta rreth qasjes në financa

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i ka takuar të enjten zyrtarët e lartë të Bankës Botërore, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë, me qëllim të dakordimit të projekteve konkrete për të ndihmuar rritjen e qasjes së sektorit privat në financa, njofton kumtesa.

Projektet të cilat janë dakroduar me guvernatorin Mehmeti janë të ndërlidhura me avancimin e kornizës ligjore të sistemit të pagesave, studimin e fizibilitetit për identifikimin e hendekut financiar, avancimin edukimit financiar që i targeton remitencat si kategori mjaft e rëndësishme e të hyrave në Kosovë.

Me këtë rast, Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive, duke shënuar rritje vjetore prej 6.9 për qind, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore rreth 11 për qind, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.3 për qind, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.7 për qind, transmeton Koha.net.

Ai po ashtu foli edhe lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektorin e sigurimeve, pensioneve dhe atë të institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.

Përfaqësuesit e BB-së të kryesuar nga Mario Guadamillas, menaxher i Shtyllës për Financim dhe Tregje, falënderuan guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe e përgëzuan BQK-në për iniciativat zhvillimore në funksion të zhvillimit të sektorit privat, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet BB-së dhe BQK-së.