Arbëri

Borrelli i kërkon Kurtit vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështjes të Sigurisë, Jose Borrell, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit që të vazhdojë sa më shpejt me dialogun Beograd-Prishtinë, në mënyrë që perspektiva evropiane të kthehet në realitet për qyetarët e Kosovës.

Borrell në një letër urimi për Kurtin, ka shkruar se normalizimi i marrëdhënieve gjithëpërfshirëse me Serbinë, është thelbësore për rrugën e Kosovës në integrime evropiane.

“Kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj gjithashtu kërkon një vazhdim të shpejtë të dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Unë e mirëpres angazhimin tuaj në mënyrë konstruktive në dialogun Beograd-Prishtinës pa vonesa. Unë kam dëshirë që t’ju pres për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe qëndroj fort i vendosur për të ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura, është thelbësore për rrugën përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe për qytetarët tuaj. Kjo është gjithashtu thelbësore për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal”, ka nënvizuar Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka shtuar se Bashkimi Evropian ka qëndruar fort pranë Kosovës dhe popullit të saj në luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Kjo luftë do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen e parashikueshme. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën teksa përparon në rrugën e saj evropiane. Do të nevojiten përpjekje të vendosura për reforma, për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë dhe për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik. Bashkimi Evropian është i gatshëm t’ju mbështes në këtë drejtim”, ka shkruar Borrell.