Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se Brukseli është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit dhe pasojat që ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.
“Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Borrellit të publikuar në faqen e Parlamentit Evropian të enjten.
Në pyetjet e deputetit francez Dominik Bild se çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian (KE) lidhur me çështjen e themelimit të Ascociacionit, vendimin e BQK-së dhe në lidhje me sistemin arsimor dhe shëndetësor për serbët e Kosovës, Borrell ka thënë se këto është dashur të negociohen bashkë me Asociacionin.
“Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar tutje ai.
Ai ritheksoi se themelimi i Asociacionit është obligim i Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është arritur nga Serbia dhe Kosova në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Në përgjigjen me shkrim thuhet se BE-ja ka përgatitur draftin evropian të statutit të Asociacionit, në konsultim me ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, duke respektuar marrëveshjet përkatëse nga dialogu, si dhe kornizën ligjore të Kosovës dhe “vijat e kuqe të palëve në masën e mundshme”.
Më 21 tetor të vitit të kaluar, draftstatuti iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Edhe
Sot në Bruksel takimi për dinarin
“Më 26 tetor, Prishtina ka njoftuar BE-në se do ta pranojë propozimin, me kusht që Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aneksi dhe vetë draftstatuti i Asociacionit të nënshkruhet zyrtarisht nga Kurti dhe Vuçiqi”, ka deklaruar Borrell.
Ai shtoi se Beogradi ka përjashtuar çdo formë nënshkrimi dhe se që atëherë përfaqësuesit e Kosovës nuk janë përfshirë në bisedime për Asociacionin.
Ndërkohë, sot në Bruksel është duke u diskutuar për dinarin, ku po marrin pjesë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.