Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bllokada me bërllokun, kompania e deponive fton “Pastrimin” për gjetjen e një zgjidhjeje

Kryeshefi i kompanisë për menaxhimin e deponive në Kosovë, Avdullah Haxhiu, e ka ftuar kompaninë “Pastrimi” për takim dhe ta gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e bllokadës me bërllokun në disa zona të Kosovës.

Haxhiu ka thënë se edhe kompania e deponive është e kërcënuar nga operatorët që i kryen shërbime për shkak të mjeteve financiare.

“Deklarimi i tyre nuk më erdhi mirë. Ne kemi bërë një veprim ligjor. Për këtë kompania është njoftuar, për shkak të një marrëveshje për riprogramim të borxhit. Nga janari i vitit të kaluar nuk kanë paguar fatura të rregullta derisa kanë edhe 337 mijë euro të pashlyera nga riprogramimi i borxhit që në total ka qenë rreth 700 mijë euro. Ky borxh shkon duke u rritur vazhdimisht. Si të funksionojmë pa i pasur këto mjete. Kemi shkruar shkresa vazhdimisht. I kemi paralajmëruar. Ata janë ankuar që s’po munden me na pagu borxhet për arsye se komuna e Prishtinës nuk iu paguan faturën që i kanë marrë përsipër. Ne nuk e dimë këtë. Edhe ne si kompani jemi të kërcënuar nga operatorë që na kryen shërbime. Mua më vjen keq për deklarimin që e kanë bërë sot, pasi sipas tyre gjendet një fajtor, por nuk është kështu”, ka thënë Haxhiu në “Interaktiv” të KTV-së.

E për akuzat politike që janë bërë ndaj tij, Haxhiu ka thënë se “kur nuk ka argumente, mandej kthehen e flasim për lidhje politike. Por nuk ka asgjë të vërtetë këtu”.

Nga nesër mbeturinat në komunën e Prishtinës, Podujevës, Fushë-Kosovës e Lipjanit nuk do të grumbullohen. Kompania regjionale “Pastrimi” ka njoftuar se i janë bllokuar llogaritë bankare dhe për këtë të mërkurën nuk do të ketë grumbullim të mbeturinave.