Arbëri

Blert Morinës i mundësohet ndërrimi i gjinisë në dokumentet e identifikimit

Foto: AFP

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë të drejtë Blert Morinës që të ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumentet e identifikimit, pas përgjigjes refuzuese që kishte marrë nga Zyra e Gjendjes Civile dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil.

Sipas një njoftimi nga Qendra për Barazi dhe Liri, Themelorja ka detyruar Agjencinë e Regjistrimit Civil që t’ia ndërrojë atij shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente.

“Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blert Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në përputhje me identitetin e tij gjinor. Morina kishte kërkuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë në prill 2018, që t’i ndërrohet emri nga ‘Blerta’ në ‘Blert’ dhe shënuesi i gjinisë nga gjinia femërore ‘F’, në shënuesin e gjinisë mashkullore ‘M’. Pas përgjigjes refuzuese të Zyrës së Gjendjes Civile dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Morina bëri padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që t’i njihet ligjërisht identiteti i tij gjinor. Paralelisht me padinë e parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Morina kishte ngritur edhe një kërkesë për shqyrtim të kushtetushmërisë të vendimit refuzues të ARC-së në Gjykatën Kushtetuese. Sidoqoftë, kushtetuesja ia kishte hedhur poshtë kërkesën si të parakohshme, me arsyetimin se duhet shterë mjetet e rregullta juridike para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

ARC-ja kishte dërguar përgjigje në padi në Themelore, por s’ishte paraqitur në asnjë nga dy seancat e mbajtura.

Më 24 tetor 2019, kjo gjykatë aprovoi si të bazuar padinë e Blert Morinës dhe urdhëroi që vendimi refuzues i ARC-së, të anulohet.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, mes tjerash, ka konstatuar se me refuzimin e kërkesës së Morinës për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë është cenuar e drejta e tij në privatësi e mbrojtur me Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky vendim i gjykatës është vendimi i dytë publik në të cilin gjykatat e rregullta në Kosovë vendosin në favor të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të komunitetit transgjinor në Kosovë. Një rast tjetër i ngjashëm me atë të Morinës është vendosur nga Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2018. Pas shqyrtimit të ankesës së M.M. kundër Agjencisë së Regjistrimit Civil, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është vendosur që t'i japë të drejtë M.M.-së për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në përputhje me identitetin e tij gjinor”, thuhet tutje në njoftimin e “CEL-së”.

Kjo qendër thotë se komuniteti transgjinor është ndër grupet shoqërore më të cenuara që jetojnë në Kosovë.