Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Trashëgimtaret kërkojnë t’u njihet e drejta e pronës në qendër të Prishtinës

Gjykata Kushtetuese ka mbajtur të mërkurën seancë dëgjimore lidhur me çështjen pronësore për një parcelë në qendër të kryeqytetit, e për të cilën Afërdita Nura-Lama bashkë me motrat e saj kërkojnë të drejtën e pronës

Katër vajzat e ish-mësimdhënëses Melihate Nura kanë vazhduar betejën për t’iu njohur e drejta e trashëgimisë në pronën në qendër të Prishtinës, e cila i ka takuar nënës së tyre.

Për këtë çështje të mërkurën është mbajtur dëgjim publik në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Supremes.

Afërdita Nura-Lama, Eufrozina Nura, Diana Nura-Sahatçiu dhe Servete Nura pretendojnë se për njësinë e banimit është marrë vendim brenda tri ditësh nga Komuna e Prishtinës për rrënimin e objektit.

Kryetari i Kushtetueses, Nexhmi Rexhepi, ka thënë se parashtruesit kanë pretenduar se u janë shkelur të drejtat e pronës.

“Parashtrueset e kërkesës pretendojnë se atyre u janë cenuar të drejtat e pronës, të drejtat e garantuara me nenin 46 të Kushtetutës së Kosovës për shkak të refuzimit që kërkesa e tyre të regjistrohet në regjistrin kadastral si bashkëpronare në parcelën kadastrale me numër reference 5937-0 në të cilën parcelë, e cila ka ekzistuar objekti kontestues, përkatësisht prona kontestuese”, ka thënë Rexhepi.

Edhe Kushtetuesja mban seancë publike për një kontest pronësor në Prishtinë Arbëri Kushtetuesja mban seancë publike për një kontest pronësor në Prishtinë

Palë në këtë proces janë parashtrueset e kërkesës, Komuna e Prishtinës, Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe Agjencia Kadastrale.

Parashtruesja e kërkesës, Afërdita Nura-Lama, ka thënë se trashëgimtaren e shtëpisë, Melihate Deva-Nura, Gjykata Komunale e pati shpallur trashëgimtare të pronës në vitin 2005, porse Themelorja dhe Apeli janë bazuar në një dokument joekzistues.

“Me vendime të njëpasnjëshme, vite e vite me radhë, shkelet e drejta e pronares Melihate Nura në pronësi prej konstatimit për rindërtim të datës 17.10.2007 nga drejtoria, përkatëse te refuzimi i së njëjtës drejtori, për shkak të rregullimit dhe planifikimit të hapësirës, edhe pse të gjitha shtëpitë përreth janë private dhe janë rinovuar dhe janë rindërtuar, vetëm shtëpia e pronares jo. Shkelje e nenit 46 të Kushtetutës dhe deklaratës së lirive të drejtave të njeriut neni 17”, ka thënë Nura-Lama.
Zyrtarja ligjore në Komunën e Prishtinës, Rina Govori, ka theksuar se ky institucion e ka njoftuar palën paditëse se objekti në parcelën në fjalë nuk ekziston. 

“Komuna e Prishtinës nuk e ka kontestuar pronësinë që e ka fituar pala paditëse në bazë të kontratës të shitblerjes në vitin 1993, dhe të njëjtën e ka pasur të regjistruar në bazë të aktvendimit të vitit 1993 në bazë të aktvendimit të gjykatës komunale, mirëpo e njëjta nuk ka mundur të evidentohet në certifikatë të pronësisë, sepse nuk ka ekzistuar kadastra etazhore deri në vitin 2012”, është shprehur Govori.

E Nadir Shyqeriu, përfaqësues nga Agjencia e Kadastrës, ka thënë se për t’u regjistruar një objekt në kadastër, së pari duhet që të identifikohet fizikisht në terren. 

“Kërkesa kryesore e ligjit është të bëhet identifikimi dhe kushtimisht duhet matur njësia kadastrale apo objekti me dimensione që ka. Kjo nuk ka qenë e mundur të bëhet për shkak se, siç u cek, objekti ka qenë i rrënuar në atë kohë, po flasim për vitin 2018-2019 dhe mbi bazën e kësaj Agjencia e Kadastrës e Kosovës e ka refuzuar ankesën e palës dhe nuk mund të evidentohet një njësi kadastrale in-ekzistente”, ka thënë ai.

Veton Demi, nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ka theksuar se më 2007 kanë pranuar kërkesë për të drejtën e pronësisë mbi pronën banesore.

“Zyrtarët e Agjencisë kanë vizituar pronën më 22.1.2008, me qëllim të njoftimit të personave të interesuar për procedurën, e cila është duke u zhvilluar dhe në pronë nuk është gjetur askush dhe prona është gjetur banesë e dëmtuar”, është shprehur ai.

Edhe Shteti hesht përballë Komunës së Prishtinës që punon pa leje afër monumenteve Kulturë Shteti hesht përballë Komunës së Prishtinës që punon pa leje afër monumenteve

Pretendimet e zyrtarit të Agjencisë për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës, se prona është vizituar më 2008 i ka hedhur poshtë parashtruesja e kërkesës, Afërdita Nura-Lama. Ajo ka thënë se objekti i banimit nuk ka qenë aq i dëmtuar dhe nuk ka paraqitur rrezik.

E kryetari i Kushtetueses Rexhepi ka thënë se vendimi do të ofrohet me shkrim në ditët në vijim.