Arbëri

Bizneset në Rugovë rrezikojnë mbylljen, shkaku i pandemisë s’ka turistë

Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve si njëra nga masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19, ka lënë pa mysafirë shumicën e lokaleve këtu në Rugovë. Bizneset private janë forma e vetme e të ardhurave për banorët e trevës së Rugovës.

Njëra prej këtyre bizneseve familjare, që ka pësuar nga periudha e pandemisë, është edhe bujtina e familjes Nikçi në fshatin Rekë të Allagës, e cila për nevoja të bujtinës mban dhe fermën e lopëve.

“Jemi të varur prej këtij biznesi. Ka ndikuar shumë, sepse nuk ka pasur mysafir. Nuk ka pasur qarkullim të njerëzve, dhe për neve ka qenë një mungesë shumë e madhe, nuk kemi pasur kurrfarë përfitimesh. Burim tjetër nuk kemi përveç kësaj”, ka thënë Mustaf Nikçi pronar i biznesit “Ariu” në Rekë të Allagës, raporton KOHA.

Pronarët e bizneseve tregojnë se edhe nëse normalizohet situata me koronavirus, iu duhet periudhë e gjatë që të sanojnë humbjet që u janë shkaktuar dhe gjithashtu rrezikojnë të shuhen krejtësisht.

“Nëse vazhdohet kjo situatë, por dashtë Zoti e të ndalohet, e të mos vazhdojë kjo pandemi, përndryshe shumica e objekteve afariste në Rugovë do të fillojnë të mbyllen”, ka deklaruar Agron Nikçi, pronar i një restoranti në Drelaj.

Komuna e Pejës nuk ka planifikuar që financiarisht të ndihmojë bizneset, por thonë se këtë do ta bëjnë përmes projekteve të ndryshme në turizëm.

“Turizmi do të përfitojë përmes projekteve, sepse do të ndërtojmë ura, do të markojmë dhe digjitalizojmë shtigjet. Do të ndërtojmë burime të reja bashkë me pushimoret. Do të jemi afër njerëzve dhe agjendave të tyre, që janë të ndërlidhura me dy qendrat tona informative. Qoftë qendra në qendër të qytetit, qoftë porta perëndimore”, ka thënë Xhenet Syka-Kelmendi, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik.

Për rreth 3 muaj, Kosova ka qenë nën masa strikte kufizuese të qarkullimit e operimit të bizneseve, shkaku i pandemisë COVID-19.