Faton Bislimi e ka quajtur antistatutar moslejimin nga Lidhja Demokratike e Kosovës që të garojë për kryetar të këtij subjekti politik.
Ai ka deklaruar për mediat pasi Lumir Abdixhiku u rizgjodh kryetar i LDK-së se kjo s’do ta pamundësojë punën e tij “për të mirën e LDK-së, qytetarëve të Kosovës dhe mbi të gjithave për t’i ofruar Kosovës një alternativë”.
“Programi im për LDK-në që është dashur t’i paraqitet delegatëve të Kuvendit do të ishte mënyra më e mirë për të treguar LDK-ja që demokracia e brendshme është virtyt, aset dhe themel që ndërtohet një parti politike...Nuk ka rugovizëm më të madh se urtësia e përbashkimit, sesa ofrimi i mundësive dhe ikluziviteti e jopërjashtimi, e jo kuvende që konfirmojnë dhe nuk zgjedhin. Zgjedhja konfirmon ballafaqim. Festa e LDK-së do të ishte më madhështore që në Kuvend do të debatonim edhe unë, edhe Abdixhiku...Programi është publik. Nëse thoni që ka pasur program kushdo tjetër, qoftë edhe nga Abdixhiku, ma tregoni ta shoh edhe unë se nuk e kam parë. LDK-ja është shtëpi e madhe politike. Ajo që nuk është lejuar të ndodhë sot është dëshirë e atyre që mbajnë pozita titullare të saj. LDK-ja është më e madhe se titullarët e saj. Ka vetëm një emër që nuk e tejkalon askush dhe ai është Ibrahim Rugova”, ka thënë Bislimi të dielën.