Faton Bislimi të hënën ka deklaruar se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Bislimi në “Interaktiv” ka thënë se 19 nëntori, kur mbahet Kuvendi i Dhjetë i LDK-së, do të jetë ditë e veçantë për rrugëtimin e partisë. Ka theksuar se kandidatura e tij është e mirëmenduar dhe se beson se LDK-ja duhet rikthyer në idealet e veta. Sipas tij, LDK-ja e ka humbur fokusin që kishte dikur.
“Në vendimin tim për kandidaturë i kam dhënë arsyet, është vendim i mirëmenduar, që rrjedh nga e kaluara ime politike, sidomos prej datës 24 maj 2023 kur ndava rrugët me lidershipin e LDK-së sepse besoja se LDK-së i duhet një lidership që përbashkon dhe nuk ndahet nga rruga e trasuar mirë. Besoj shumë se rruga më e sigurt e rikthimit të LDK-së aty ku e ka vendin është rruga r vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të LDK-së të trasuar që nga koha e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Devijimi nga kjo trase nuk i shërben identitetit të LDK-së”, ka thënë ai.
Bislimi ka deklaruar se lidershipi aktual i LDK-së ka lënë jashtë aktivitetit politik njerëz që kanë dhënë shumë kontribut, e ka sfiduar identitetin thelbësor të partisë.
“Sikur të kishte ndodhë reforma që e kemi shpresuar, ndryshimi pozitiv, problemi madhor që ka LDK-ja sot është se kemi lënë jashtë strukturave, aktivitetit, mirëbesimit në LDK një pjesë të madhe të njerëzve që kanë dhënë kontribut, kanë derdhë djersë për këtë LDK, për LDK-në që njerëzit kanë shkuar edhe me jetë, dhe ne sot pretendojmë se mund ta tejkalojmë këtë histori dhe të ndërtojmë diçka të re që për mendimin tim e sfidon identitetin thelbësor të LDK-së”, ka theksuar ai.
Bislimi është shprehur se LDK-ja po bën edhe opozitë të dobët.
“Kemi një lloj doze të pasigurisë në vetveten tonë, ne jemi të ngathët edhe në opozitë edhe në veprimet politike, këtë duhet ta heqim qafe. Ka pasiguri në veprimet që ndodhin, idealet për të cilat qëndron LDK-ja sepse ka pasur një rrëshqitje të madhe nga ajo që njerëzit e asocojnë me LDK-në”.
Sipas tij, procesi zgjedhor për kryetar të partisë që nga fillimi ka qenë i kontrolluar rreptësishtë.
“Ky proces zgjedhor që nga fillimi deri tani ka pasur sfidat e veta, nëse më thoni një degë ku LDK-ja ka pasur një kundërkandidat ma thoni sepse unë nuk e kam parë. Absolutisht i kontrolluar”.
Bislimi ka thënë se nuk është marrë parasysh nga lidershipi aktual i LDK-së kur ua ka komunikuar shqetësimet e tij mbi partinë.
“Realisht ndarja ime me lidershipin e LDK-së ka ndodhë në verën e vitit 2022, por kam heshtë me besimin se në ndërkohë gjërat do të përmirësohen. Po, kam komunikuar. S’ka pasur përgjigje asnjëherë. Kam qenë një lloj zëri i vetmuar”, ka përfunduar ai.