Arbëri

Bislimi, Hajdari e Nagavci jashtë Qeverisë. 18 kandidatë të rinj marrin mandat deputeti

Qeveria Kurti 3

Foto: Driton Paçarada

Në Qeverinë Kurti 3 janë 10 ministra të rinj, krahasuar me përbërjen paraprake të kabinetit qeveritar. Ndërkaq, pesë nuk do të jenë në ekzekutiv, në mesin e të cilëve edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Pas emërimeve në Qeveri, ministrat kanë lënë vend në Kuvend për 18 ligjvënës të rinj

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë Kurti 2, Besnik Bislimi, nuk është pjesë e kabinetit të ri qeveritar, të formuar të mërkurën.

Edhe katër anëtarë të tjerë të Qeverisë nuk do të jenë më në ekzekutiv.

Në vend të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, do të jetë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ndërkaq në vend të Arbërie Nagavcit, në Ministrinë e Arsimit është caktuar Hajrulla Çeku, i cili ka shërbyer më parë si ministër i Kulturës, Rinisë e Sportit.

Të dyja ish-ministret janë deputete të legjislaturës së re.

“Jam më se e lumtur që kolegia ime Mimoza Kusari e ka postin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë. Nuk është patjetër gjithmonë një me qenë, duhet njëfarë kombinimi të bukur”, ka thënë Rozeta Hajdari, ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

E ish-ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nagavci, ka thënë se qysh më herët janë diskutuar angazhime të tjera për të.

“Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit me kryeministrin kemi diskutuar qysh në atë kohë për angazhime të tjera dhe kontributin tim në pozita të tjera. Mbi të gjitha do të jem deputete, shpejt i shohim dhe angazhimet e tjera”, ka theksuar ajo.

Pjesë e kabinetit qeveritar nuk do të jetë as Albulena Haxhiu, e cila është zgjedhur kryeparlamentare, si dhe as Faton Peci që është zgjedhur kryetar i Komunës së Mitrovicës pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Nga 19 ministritë sa gjithsej do të ketë kabineti qeverisës, dhjetë do të drejtohen nga ministra të rinj, qoftë nga personalitete që nuk kanë qenë në ekzekutiv, qoftë shkaku i rokadave të bëra.

Ministria e Punëve të Jashtme do të drejtohet nga Glauk Konjufca, ajo e Tregtisë dhe Industrisë nga Mimoza Kusari-Lila.

Për herë të parë do të drejtojnë dikastere qeveritare Fitore Pacolli, Saranda Bogujevci, Armend Muja, Dimal Basha, Andin Hoti, Lulëzon Jagxhiu dhe Blerim Gashani.

Pas formimit të kabinetit qeveritar, 18 ministra kanë lëshuar vend për kaq deputetë të rinj.

15 prej tyre do të jenë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – Egzon Azemi, Fahrush Rexhepi, Bajram Mavriqi, Luan Aliu, Driton Hyseni, Enver Dugolli, Arijeta Rexhepi, Shqipe Isufi, Afërdita Hajrizi, Ejup Ahmeti, Avdullah Klinaku, Mytaher Haskuka, Bylbyl Sokoli, Ilir Qeriqi dhe Mimoza Shala.

Nga radhët e Iniciativës së Re Demokratike në Kuvend do të hyjnë Fridon Lala, si edhe Lazar Raduloviq nga Za Slobodu Pravdu i Opstanak dhe Bahrim Shabani nga Koalicioni Vakat.

Këta deputetë do ta bëjnë betimin në seancën e radhës të Kuvendit.