Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është takuar në Shtëpinë e Bardhë me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me të cilën kanë vlerësuar përpjekjet e ndërkombëtarëve për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Sipas një deklarate për media, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Bideni dhe Meloni kanë riafirmuar angazhimin që Ballkani Perëndimor të ketë siguri, stabilitet dhe prosperitet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit. Ata [Biden dhe Meloni] vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin, dhe pranuan rolin vendimtar të QUINT-it. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it Althea”, thuhet në deklaratën e tyre.
Pas zgjedhjeve të parakohshme në veri, të cilat u bojkotuan nga serbët por u mbështetën ndërkombëtarisht, komuniteti ndërkombëtar bëri përgjegjëse Kosovën për tensionet, pasi me asistencë të Policisë u siguroi kryetarëve të zgjedhur qasje në ndërtesa komunale.
Serbët kundërshtuan, dhe turma të tyre sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, ata të Policisë si dhe ekipet shqiptare të mediave.
BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan që Kosova të tërheq pa vonesë policët nga dhe përreth objekteve komunale e edhe që kryetarët e rinj ta ushtrojnë mandatin jashtë ndërtesave komunale. Masa të karakterit politik e ekonomik u vendosën, si ndëshkim pas refuzimit të Qeverisë për t’iu bindur këtyre kërkesave. Më vonë u arrit një dakordim për një plan të BE-së për shtensionimin e situatës.
Komuna e Leposaviqit, Zveçanit, Mitrovicës së Veriut e Zubin Potokut, që nga maji janë duke u drejtuar nga kryetarë shqiptarë e boshnjak. Ai i Leposaviqit dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, e të cilët i takojnë Vetëvendosjes, janë duke e ushtruar detyrën në zyrat komunale, përkundër protestave të vazhdueshme të serbëve.
Ndërkaq, kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin-Potokut, e që i takojnë Partisë Demokratike në opozitë, mandatin janë duke e ushtruar nga ndërtesa alternative.
Pas protestave të dhunshme në veri, një numër serbësh janë arrestuar. Por, prej kur Kosova dhe BE-ja janë dakorduar për hapat fillestarë drejt shtensionimit të situatës, gjykatat kanë lënë të lirë disa prej të arrestuarve.