Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

(Kosovapress) - Besimtarët myslimanë sot kremtojnë festën e Kurban Bajramit.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Namazi i Kurban-Bajramit është falur në orën 05:51.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.


Festën e kanë uruar edhe krerë instituciones dhe kryetar partish.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ua ka uruar Kurban Bajramin qytetarëve, duke u shprehur mirënjohje atyre që janë në krye të detyrës.

“Uroj veçanërisht, nënat e të rënëve për liri dhe të gjithë ata që nuk i kanë afër të dashurit e tyre, për shkak të padrejtësive e fatkeqësive që sjellë jeta, duke bashkëndjerë me dhembjen e tyre sot e çdo ditë”, thuhet në shkrimin e tij në Facebook.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët duke thënë se kjo festë është sinonim i devotshmërisë dhe mirënjohjes ndaj Zotit. "Ajo na mëson ndjenjën e mirëkuptimit, dashurisë e respektit për njëri tjetrin. Na mëson përkushtimin ndaj familjes e na rikujton se sa e rëndësishme është dhembshuria e kujdesi për njerëzit në nevojë. Këto vlera, kaq njerëzore, uroj të udhëheqin shoqërinë tonë gjithmonë", ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku ka theksuar pamundësinë e kryerjes së pelegrinazhit së Haxhit nga besimtarët, për shkak të pandemisë COVID-19.

"Fatkeqësisht, edhe këtë vit - sërish - besimtarët myslimanë e kanë të pamundur të kryejnë pelegrinazhin e Haxhit. Fatkeqësisht, edhe këtë vit, jo pak bashkëqyretarë tanë përballen me vështirësi. Shpresoj, gjithsesi, se përkundër të gjithave, në frymën e traditës sonë fetare, ne do të mbesim afër familjarëve, miqëve e nevojtarëve. Të gëzojmë të mirat e të ndajmë hallet. Sepse begatitë e solidaritetit mbesin virtytet tona më të veçanta."


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka uruar qytetarët, duke thënë se kjo ditë bashkon me gëzimin dhe harenë nëpër shtëpi, derisa kujton se sa sakrifica është dashur të bëhet për vendin.

“Prandaj nuk duhet harruar t’ia shtrijmë njëri-tjetrit gjithmonë dorën e ndihmës, të punojmë së bashku për të ardhmen e vendit dhe për të gjitha festat e fëmijëve tanë”, thuhet në statusin e tij.

Artikuj të ngjashëm