Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Berosh: Kroacia mban zi dhe qëndron pranë popullit të Kosovës

Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Vili Berosh, ka thënë se populli i Kroacisë mban zi dhe qëndron pranë popullit të Kosovës në momente të vështira.

Në një intervistë për Kosovapress-in, Beroshi ka thënë se reagimi i shpejtë i institucioneve të Kroacisë ndaj aksidentit tragjik të autobusit të Kosovës nga i cili mbetën 10 të vdekur e shumë të tjerë të lënduar, nuk është çështje politike, por humane.

Sipas tij, Kroacia mban zi dhe qëndron pranë popullit të Kosovës.

“Kjo nuk është një çështje politike, por një çështje humane, ku madhësia e zemrave tona dhe madhështia e miqësisë midis Kroacisë dhe Kosovës ka më shumë vlerë se çdo motivim tjetër. Unë jam rritur dhe arsimuar për të ndihmuar njerëzit dhe kam dhënë një betim, të cilin unë vazhdoj ta mbaj si ministër i shëndetësisë dhe si një qenie njerëzore. Prandaj, Kroacia mban zi, dhe qëndron pranë popullit të Kosovës, siç do të bënte çdo individ”, ka thënë Beroshi.

Ai ka shtuar se shpëtimi i të lënduarve në spitalin në Slavonski Brod nuk është çështje fati por një përgjigje standarde dhe etike mjekësore ndaj aksidenteve masive.

“Çdo pjesëtar i stafit shëndetësor duhet të jetë i përgatitur për çdo lloj aksidenti ose incidenti, çdo ditë. Kjo është thirrja jonë. Përmes edukimit të vazhdueshëm dhe kryerjes së trajnimeve për përgjigje mjekësore ndaj një aksidenti masiv, ne kemi vite që përgatitemi për situata të tilla. Prandaj, ne reaguam sipas protokollit standard - Përgjigja mjekësore ndaj incidenteve të mëdha - MRMI, e cila përfshinë mobilizimin e shpejtë të të gjithë sistemit shëndetësor. Sidoqoftë, kjo është diçka që pritet. Ajo që nuk kam mundur ta paramendoj ka qenë, solidariteti dhe ndjeshmëria e shfaqur nga të gjithë profesionistët tanë shëndetësor ndaj miqve tanë nga Kosova. Veçanërisht krenohem që kemi siguruar përkthyes në momentin e duhur për të lënduarit. Për këtë unë i jam thellësisht mirënjohës ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Gezim Kasapolli, dhe folësve të tjerë të gjuhës shqipe, që jetojnë këtu në Kroaci”, është shprehur ai.

Beroshi u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe popullit të Kosovës.

Edhe Srebrenica s’e harron gjenocidin Rajon 2 j. më parë Srebrenica s’e harron gjenocidin

“Para së gjithash, do të doja të shpreh ngushëllimet e mia për popullin e Kosovës për një tragjedi shkatërruese që tronditi të dy kombet tona. Unë jam i tmerruar dhe i tronditur nga përmasa e kësaj katastrofe, si një mjek dhe një qenie njerëzore. Mendimet dhe lutjet e mia janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo katastrofë e tmerrshme., të cilat janë të njohura për forcën dhe zemrën e madhe. Unë besoj me gjithë zemër se së bashku do ta kalojmë këtë humbje të madhe”, është shprehur ministri kroat.

Në orët e hershme të mëngjesit të 25 korrikut, në Slavonski Brod të Kroacisë, një autobus me udhëtarë shqiptarë të Kosovës, të cilët ishin nisur nga Mynheni i Gjermanisë drejt Prishtinës, është aksidentuar, duke lënë 10 të vdekur e të paktën 45 të tjerë të lënduar.