3 perditesime
12:02

Ministri kroat i Shëndetësisë jep detaje të reja për aksidentin

Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Vili Berosh, ka dhënë detaje të reja për aksidentin në Slavonski-Brod, ku në mëngjesin e sotëm u aksidentua një autobus kosovar i linjës Frankfurt – Prishtinë.

Në aksident kanë humbur jetën 10 persona, nëntë prej tyre pasagjerë dhe njëri nga shoferët.

Berosh ka thënë se 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore, prej tyre 15 kanë lëndime më të rënda.

“Sipas të dhënave aktuale, e që mund të ndryshojnë, në aksident ishin 69 persona, 67 pasagjerë e dy shoferë, ndërsa fatkeqësisht kanë vdekur dhjetë persona. 44 janë lënduar. Kemi të lënduar rëndë, 15 prej tyre, në mesin e tyre edhe një vajzë e mitur”, ka thënë Berosh, raporton Index.hr. Ai ka treguar se në autobus ishin 15 fëmijë.

Sipas Beroshit 42 të lënduar po marrin ndihmë në spitalin në Slavonski-Brod, ndërsa është dërguar një në Zagreb e një në Gradishte.

11:26

Në aksidentin në Kroaci vdiqën nëntë pasagjerë e njëri nga shoferët

Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut, ka thënë se në aksidentin e mëngjesit të sotëm në Slavonski-Brod, kanë vdekur nëntë pasagjerë dhe njëri nga shoferët që ishin në autobusin kosovar të linjës Frankfurt – Prishtinë.

Ai për media ka thënë se në autobus ishin 67 udhëtarë e dy shoferë.

“Në autobus ishin 67 pasagjerë e dy shoferë. Fatkeqësisht, 9 pasagjerë dhe një shofer kanë humbur jetën. 44 pasagjerë u pranuan në spital në Slavonski Brod. Tetë në gjendje të rëndë, e katër janë operuar. 14 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin policor, duke pritur akomodimin”, ka thënë Trut duke shtuar se në autobus kishte edhe fëmijë.

10:39

Drejtori i spitalit në Kroaci: 45 persona kërkuan ndihmë mjekësore, tetë në gjendje të rëndë

Drejtori i Spitalit në Slavonski-Broad të Kroacisë, Josip Samarxhiq ka treguar se në Spital në mëngjes janë pranuar 45 persona pas aksidentit të rëndë, ndërsa në mesin e tyre tetë janë me lëndime të rënda, njofton Index.hr.

Nga Spitali është paralajmëruar konferencë për media rreth orës 11:30.

09:47

Aksidentohet një autobus kosovar në Kroaci, raportohet për dhjetë të vdekur

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në Slavonski Brod të Kroacisë, ku një autobus nga Kosova është aksidentuar.

Policia kroate ka raportuar për dhjetë të vdekur, bën të ditur “Index.hr”.

Fillimisht zëdhënësi i Policisë kishte thënë se bëhet fjalë për një autobus nga Maqedonia, por më pas ka përmirësuar duke thënë se fjala është për një autobus kosovar. Sipas informatave fillestare raportohet për 10 të vdekur. 

Aksidenti ka ndodhur në autostradën A3 rreth orës 6 të mëngjesit. Autobusi ka dal nga rruga.

Raportohet se autobusi ishte i linjës Frankfurt - Prishtinë, e në të ishin 60 persona. Sipas informatave të fundit thuhet se rreth 30 persona janë të shtrirë në spital. Qarkullimi në autostradë është ndaluar. 

“Në orën 6:22 të mëngjesit, Departamenti i Policisë në Brod ka marrë informata për aksidentin e një autobusi. Me të arritur në vendin e ngjarjes, u përcaktua se ishte një autobus me targa të Kosovës në linjën e rregullt Frankfurt – Prishtinë. Një hetim është duke u zhvilluar. Disa njerëz kanë humbur jetën dhe rreth 30 janë dërguar në spital. Çdo informacion i mëtejshëm do të jepet pas përfundimit të hetimit”, thuhet nga shefi i Policisë Rrugore në Slavonski-Brod, Franjo Galiq.

Deputetja e vetme shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ka thënë për KOHËN se informatat janë që 10 persona kanë vdekur e 30 të tjerë janë të lënduar, ndonëse siç ka thënë, nuk dihet se sa rëndë janë të lënduar.

Prljaskaj ka thënë se tashmë është në rrugë për të shkuar në vendin e ngjarjes, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.

“Unë jam nisur për atje, edhe ambasadori i Kosovës Gëzim Kasapolli është nisur për atje e po ashtu edhe ministri i Punëve të Brendshme dhe ai i Shëndetësisë. Do të kemi përafërsisht dy orë rrugë dhe pasi të kemi mbërritur në vendin e ngjarjes do t’ju njoftojmë më detajisht për rastin tragjik”, ka thënë Lekaj-Prljaskaj.

Ndërkohë nga kompania “Deva Torus” autobusi i të cilit është aksidentuar kanë thënë se nuk kanë informata të sakta lidhur me numrin e të vdekurve dhe të lënduarve.

“Nuk kemi informata më të sakta diçka. Nëse ka mundësi të keni konsideratë sepse as ne ende nuk dimë asgjë saktë. Po rasti ka ndodhur, por për numrin e të vdekurve nuk kemi informata”, ka thënë në një përgjigje për KosovaPress përgjegjësi i kësaj kompanie.