Lideri i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, e ka cilësuar propozimin e Partisë Socialiste për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Bajram Begaj, për postin e presidentit, shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit.
Përmes një reagimi në Facebook, Berisha pretendon se “i ndalohet rreptësishtë ushtarakëve aktivë të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera”, sipas nenit 167 të Kushtetutës së Shqipërisë.
“Një akt antikushtetues dhe precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë. Neni 167 u ndalon rreptësisht ushtarakëve aktivë të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera. Ndaj dhe ky emërim është antikushtetues dhe i rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare”, ka shkruar ndër të tjera lideri i opozitës.
Grupi Parlamentar i PS-së dorëzoi emrin e Begajt në Kuvend me nënshkrimet e nevojshme si të propozuar për president. Seanca për zgjedhjen e presidentit raportohet se do të mbahet sot pasdite.