Arbëri

Berisha: Kosova s’është e rrezikuar nga Serbia, s’është reale mundësia e një sulmi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka thënë se Kosova nuk është e rrezikuar aspak nga Serbia.

Sipas tij nëse Serbia hyn në Kosovë, “atëherë ajo ka marr leje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. “Përndryshe Serbia kurrë nuk guxon ta sulmojë Kosovën”, ka theksuar Berisha në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

“Ka ambicie Serbia, edhe kurrë nuk do t’i shuajë ambiciet, edhe kur Kosova të jetë anëtare në BE, NATO e në OKB, Serbia e orientuar nga Perëndimi, kurrë nuk do t’i shuajë ambiciet ndaj Kosovës ... por absolutisht nuk është reale mundësia e një sulmi të armatosur të Serbisë në Kosovë”, ka shtuar Berisha.

Sulmin e armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, ai e ka quajtur skenar. “Ajo ka qenë skenar, e kam thënë dhe e mbështes, jo në informata inteligjente, por në vlerësim inteligjent ushtarak, Bansjka del se është skenar ... të bëjmë një analizë të shkurtës a është arrestuar Radoiçiqi, jo, a u është dorëzuar organeve të Kosovës, jo, është në lirë të Interpolit dhe nuk po mundet ta arrestojë Interpoli a, është në listë të zezë edhe të SHBA-së, Serbia është nënshkruese e Interpolit, të qenit në listën e Interpolit do të thotë kudo që je të arrestojnë organet, ai nuk po arrestohet sepse është një skenar”, ka theksuar Berisha.

Ai e ka akuzuar Qeverinë për siç ka thënë “patriotizëm ndaj ndërkombëtarëve” dhe ka thënë se fajtore për sanksionet e vëna ndaj Kosovës është vetë Qeveria.

“Vendimet politike ishin ato që na sollën pasojat neve, dhe nëse thonë amerikanët na jep 6 muaj kohë për tema të caktuara dhe t’i u thua 24 orë, ngadalë njëherë se është dashur t’i thuash në vitin 1999 ne se nuk keni nevojë të ndërhyni se ne e sjellim lirinë e pavarësinë, është kjo një lloj popullzimi e retorike elektorale, është ngritur patriotizmi kundër ndërkombëtarëve ... kjo është rreziku i madh edhe kundër SHBA-së, shikojeni rininë se me çfarë gjuhe flet, të bësh patriotizëm kundër SHBA-së e aleatëve është gabimi më i madh strategjikë dhe rreziku më i madh që po i kanoset kombit e që po e promovon kjo Qeverie”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij Qeveria e Kosovës e ka futur Kosovën në obligime ndërkombëtare. Berisha ka thënë se PDK-ja nuk është që Asociacion i komunave me shumicë serbe të bëhet bazuar në statutin që, sipas tij, e ka pranuar Kurti.

Deputeti i PDK-së ka thënë se ata janë për zbatim të marrëveshjes së vitit 3013 të arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Berisha: Kosova në veçanti ndjen siguri shtesë me hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Shqipëri

Ai ka folur edhe për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, në Shqipëri. Sipas tij kjo është për ta përgëzuar Shqipërinë për punën e bërë në këtë drejtim.

Sipas Berishës, Kosova në veçanti ndjen siguri shtesë nga hapja e kësaj baze.

“Ajo është baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkan, ne luftën e kemi bërë dhe NATO-ja ka vepruar nga ‘Aviano’, tani e ka bazën e saj ajrore në territorin e Ballkanit, konkretisht në Shqipëri. Janë shumë ndërlidhje të fqinjësisë së mirë dhe me Kosovën janë shumë më specifike sepse Kosova është nën mbikëqyrjen e NATO-s, kurse Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe bashkë me NATO-n është në Kosovë dhe tani Kuçova është një zonë e afërt me të gjitha shtetet në rajon, por Kosova ndjen një siguri shtesë në veçanti”, është shprehur Berisha.

“Krahas kësaj baze ajrore, shumë shpejt në Porto Romano, ku po punohet me vite, prej kur ka hyrë në Partneritetin për Paqe, të jetë edhe bazë e fuqishme detare e NATO-s, që do të thotë se kontrollin ajror e detar, do të jetë Shqipëria epiqendra, ku do të bëhet”, ka shtuar Berisha.