Ministri i FSK-së Rrustem Berisha në konferencën “FSK dhe partnerët”, kërkoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar të Kosovës, për ta bindur Listën Serbe, për transformimin e FSK-së.
“Sa i përket transformimit të FSK –së, ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme, që pjesë e këtij transformimi të jetë dhe komuniteti jo shumicë, komunitetit serb. Në kuadër të saj shumicën e aktiviteteve të paraparë me planin e veprimit, i kemi përfunduar dhe jemi në përfundim. Ndërsa një pjesë tjetër parashihet të përfundohen pas marrjes së vendimit për transformim. Po ashtu Jemi duke punuar shumë që të ngrisim kapacitetet tona operacionale, ta përgatisim FSK drejt tranzicionit në të ardhmen. Po ashtu, apeloj që të të gjithë ju që të na ndihmoni të na mbështetni që sa më parë dhe lista serbe ta kuptojë realitetin e ri dhe të jetë pjesë e këtij transformimi”, tha ai.
Berisha si të arritur të FSK-së përmendi po ashtu dhe integrimin e komunitetit jo shumicë, ku tha se kanë arritur ta tejkalojnë kuotën e 10 për qindëshit. Sipas tij kjo kuotë është arritur dhe me rekrutimin e fundit, që është bërë nga pjesa veriore e Kosovës, ku janë rekrutuar mbi 30 rekrutë të komunitetit serb. Ndërsa tha se e çmon lartë vendosmërinë e këtyre rekruteve, përkundër presioneve dhe kërcënimeve që kanë pasur, ata vazhdojnë të jenë pjesë aktive e FSK-së. Sipas tij synim i FSK-së, mbetet anëtarësimi në iniciativat nacionale dhe që kjo forcë në të ardhmen të mos jetë vetëm konsumues i sigurisë, por dhe kontribuues pro aktiv i saj.
Konferenca “FSK dhe partnerët”, do të fokusohet në planet bilaterale vjetore për vitin 2018 midis Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe partnerëve bilateral, si dhe nevojat dhe kërkesat e FSK-së për zhvillim të mëtejshëm për 2019/2020. Ky aktivitet ka për qëllim që të mbledhë të gjithë akterët mbështetës të Forcës së Sigurisë së Kosovës me qëllim të koordinimit të mbështetjes së ofruar nga vendet partnere me të cilat MFSK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Përveç përfaqësuesve të vendeve partnere, të ftuar në konferencë janë edhe ambasadorë të vendeve mike dhe partnere, atashetë ushtarakë të akredituar në Prishtinë, përfaqësues nga Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, KFOR-i, nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), Ministria e Punëve të Brendshme (MBP), Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.