Hisen Berisha, ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se është e turpshme të mendohet se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, e ka pranuar themelimin e Gjykatës Speciale me pretendimin se ai nuk do të dërgohej për gjykim atje.
Në “Konfront” të KTV-së, Berisha ka thënë se Gjykata Speciale është themeluar për t’u mbrojtur nga raporti i Dick Martyt dhe jo për ta gjykuar luftën e UÇK-së.
“Këto dhoma u krijuan për t’u mbrojtur nga akuzat e raportit të Dick Martyt i cili është i miratuar nga Këshilli i Evropës drejtuar Kosovës... Aty janë të involvuar prokurorë rusë, serbë e deputetë... Por ato u krijuan për t’u mbrojtur nga akuzat e raportit dhe jo për ta gjykuar UÇK-në dhe luftëtarët e saj. Kush janë sot në Hagë? Është Hashim Thaçi drejtori politik, truri politik, në dashi quajeni komandant, në dashi pa rol, ose pa pozitë, por është truri politik i asaj që u quajt organizim vullnetar për të luftuar kundër regjimit të Millosheviqit dhe presionit të tij gjenocidial. Është në Hagë duke u mbrojtur edhe shefi i inteligjencës (Kadri Veseli), neuroni, i funksionimit të komplet trupit të UÇK-së. Është duke u gjykuar zëdhënësi i UÇK-së (Jakup Krasniqi) dhe një anëtar shtabi që nuk e di saktë çka ka mbuluar. Për Rexhepin (Selimin) nuk e di çka mundem të them”, ka thënë ai.
Berisha ka thënë se kushdo që kritikon Thaçin dhe të tjerët për themelimin e Gjykatës Speciale “ka qëllime të errëta”.
“Në mes të bërit nga OKB-ja dhe nga ne, dallimi është se kompetencën ligjore për përfundimin e punës së kësaj gjykate e ka Këshilli i Evropës bazuar mbi ligjin në të cilin funksionon. Sikur të mos bëhej kjo e të bëhej nga OKB-ja, atëherë kompetencën për shuarjen do ta kishte vetë Këshilli i Sigurisë. Kur të vijë në situatë për ta mbyllur këtë trupë juridike atëherë vendimi do të duhej të merrej në KS të OKB-së dhe aty janë edhe Kina e Rusia dhe e dini se çka do të ndodhte. Do të shihnim luftëtarët e UÇK-së në gjykata duke vdekur ndoshta aty sepse tërë jetën do të na mbante peng Rusia e Kina”, ka vazhduar Berisha.
Berisha ka shtuar se është turp të mendohet se Thaçi “ka qenë aq injorant sa që nuk e ka ditur se do të shkonte edhe vetë në Hagë, sikur shokët e tij”.
