Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Berisha: Dënimi ndaj Suzana Zogiani-Sekiraqës duhet të shqyrtohet

Dënimi ndaj Suzana Zogiani-Sekiraqës me 25 vjet burg për rastin e vrasjes së burrit të saj, po shihet si dënim i ashpër dhe i tepruar.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka deklaruar se ky rast duhet  të shkojë në rigjykim dhe gjykata ta shqyrtojë vendimin e saj. Ajo ka thënë se me këtë aktgjykim, gjykata nuk e sheh rastin si vrasje në vetëmbrojtje, por si kryerje e vrasjes së rëndë.

“Rasti i Suzanës është rast recidiv dhe i vazhdueshëm për vite, ajo e ka raportuar dhunën e shkaktuar nga ish-burri për një kohë të gjatë. Me këtë aktgjykim, gjykata nuk e sheh Suzanën që ka kryer vrasjen në vetëmbrojtje por si vrasje e rëndë”, ka thënë Berisha në Express-KTV.

Berisha ka deklaruar se fëmija që përfshihet në rast, nuk është ekzaminuar nga ekspertët për ta parë gjendjen e tij emocionale, ndërsa sipas saj, kjo do të ishte shumë e nevojshme për t’i qartësuar rrethanat e ngjarjes.

Ajo ka bëri me dije se si Rrjet i Grave, janë në kontakt me EULEX-in për të parë se si po trajtohet Zogiani në qendrën e burgut.

“Kemi qenë në kontakt edhe me EULEX-in për të parë se si po trajtohet Suzana. Ka pasur vërejtje se edhe aty ka pasur disa probleme, ajo e ka avokatin e saj dhe ne nuk kemi mundur ta trajtojmë rastin më tutje.

Edhe Organizata “Qika” kërkon rigjykim për Suzana Zogiani-Sekiraqën Arbëri Organizata “Qika” kërkon rigjykim për Suzana Zogiani-Sekiraqën

Berisha ka potencuar se dënimi ndaj gruas në fjalë duhet të shqyrtohet dhe se dënimi me 25 vjet është shumë i lartë.

“Nuk është ky rasti i parë kur institucionet ligjore të vendit kanë bërë gabime. Kjo është e ndërlidhur edhe me mendësinë e shoqërisë tonë patriarkale ku jeta e burrit ka vlerë më të madhe se ajo e gruas”, ka thënë tutje Berisha.

Lidhur me peticionin e nisur për lirimin e të dënuarës, Berisha ka thënë se nuk janë pjesë e peticionit mirëpo do t’i pas qëndrojnë rastit, duke kërkuar rigjykim dhe vlerësim të rrethanave.