Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bekim Jashari: Duhet të jemi të bashkuar për t’i çuar proceset përpara

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari në Prekaz.

Ai në përcjellje të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, e të drejtorëve, asambleistëve, përfaqësues të dala nga shoqatat nga lufta ka bërë homazhe në 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka dhënë mesazhin për bashkim.

“U desh shumë mund e sakrificë për të ardhur te kjo ditë. Sot së bashku me kryetarin Lladrovci, drejtorë e asambleistë, shoqata të dala nga lufta, Policinë e Kosovës, po bëjmë nderime për ata që na mundësuan ne që sot të jemi të lirë e të festojmë me dinjitet. Kjo ka vetëm një arsye që të jemi të bashkuar, për t’i çuar përpara proceset. Përndryshe po vazhduam të jemi të përçarë mund të na zgjasin edhe më shumë këto procese, për të cilat ka shumë nevojë vendi që të përfundohen, sidomos për t’i dhënë zhvillim ekonomik vendit. Vetëm atëherë mund të themi se jemi duke finalizuar amanetin e dëshmorëve. Urime të gjithëve”, ka thënë Jashari.

E kryetari i Drenasit, Lladrovci, ka përmendur ish-eprorët e UÇK-së, që janë në Hagë e që po akuzohen për krime lufte.

“Sot në këtë Ditë të Pavarësisë po festojmë pa liderët e themeluesit e shtetit tonë, pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimi, e pa bashkëluftarët e tyre. Këtë ditë e kujtojmë edhe komandantin legjendar dhe familjen Jashari, dhe gjithë bijtë e bijat e kombit që dhanë jetën për liri. Urime festa, e festofshim gjithmonë”, ka thënë Lladrovci.

Artikuj të ngjashëm