Bekim Jashari ka dëshmuar në rastin ku djali i dajës së tij, Bahri Nuredini, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me lidhjen e kontratave të dëmshme për pajisje të navigacionit. Jashari u shpreh krenar me punën që ka bërë në Aeroport dhe aludoi se ishte në kontakt me ish-kryeministrin Hashim Thaçi për arritjen e marrëveshjes me LIMAK-un për sisteme të navigacionit
Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka dëshmuar në rastin ku Prokuroria Speciale e akuzon djalin e dajës së tij, Bahri Nuredini, si dhe Driton Mehajn për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me tenderë të sistemeve të navigacionit ajror.
Prokuroria Speciale i akuzon zyrtarët e lartë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës se i kanë shkaktuar rreth dy milionë euro dëm buxhetit të shtetit me tenderët në periudhën 2011 - 2018.
Bekim Jashari, që ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, tha se me koncesionarin e aeroportit ,LIMAK, u morën vesh që në këmbim të moslargimit të 130 punëtorëve, shteti të marrë përsipër zhvendosjen e sistemeve të navigacionit. Për këtë dakordim, sipas tij, u përfshi edhe kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi.
“Ju tregova që kanë qenë jo-formale, kam shfrytëzuar lidhjet e mija, lidhjet private, në mënyrë shoqërore për të ardhur deri tek zgjidhja duke u nisur nga (ajo që) nuk do të përmendi emra por mund të dihen se kush janë gjatë kohës për të cilën po flasim që është prilli dhe maji i 2011-tës udhëheqësit e PPP-së së asaj kohe e deri tek kryeministri i asaj kohe. E po ashtu pastaj edhe me drejtuesit e kompanisë Limak”, tha Jashari.
Sipas tij, ka marrë raporte pozitive për realizimin e kontratave, për të cilat Prokuroria Speciale pretendon se buxhetit iu shkaktua dëm.
“Është ndërtuar terminali VIP dhe është dashur të merren punëtorë shtesë për të funksionalizuar të gjitha punët apo operacionet e nevojshme në aeroport dhe kjo ka qenë telashja kryesore apo defekti kryesor apo pika kryesore që na ka pru pastaj deri tek mbledhjet tjera pas prillit 2011 deri te të gjitha këto procese të tjera të cilat jemi këtu. Ato vështirësi ndoshta dikujt i intereson, ndoshta dikujt s’i intereson, por nuk kanë qenë hiç të lehta për të ardhur deri tek kjo marrëveshje që e kemi bërë në fund”, tha Jashari.
Jashari tha se nëse të akuzuarit Nuredini e Mehaj janë fajtorë, i tillë është edhe ai.
Dëshminë të enjten e ka përmbyllur edhe ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila më 2011 si këshilltare politike në Zyrën e Kryeministrit ka marrë pjesë në mbledhje të Komitetit drejtues të partneritetit publiko-privat të Aeroportit.
Hoxha në shumicën e pyetjeve u përgjigj se nuk e di apo nuk e mban mend.