Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim luftëtarët e parë për çlirimin e Kosovës, të stërvitur në Shqipëri në vitin 1991, familjarë të martirëve dhe ish-pedagogët ushtarakë që kryen trajnimet e asaj kohe.
Kreu i shtetit vlerësoi guximin dhe sakrificën e tyre dhe, po ashtu, rolin e ushtarakëve të Shqipërisë në përgatitjen politike, logjistike dhe ushtarake, raporton KosovaPress.
Duke i cilësuar ata si “njerëz që kanë shkruar një faqe të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar”, Begaj u shpreh se akti i vitit 1991 duhet vlerësuar për rëndësinë historike si dhe të mësohet në shkolla për të mos mbetur në harresë.
Begaj theksoi se nga ky moment, nga kjo sakrificë nisi udha drejt luftës për çlirimin e Kosovës dhe se vepra e të gjithë atyre që guxuan dhe sakrifikuan nuk do të harrohet kurrë.
“Ngjarjet e tetor-nëntorit të vitit 1991 janë fillimi i flakës së madhe të çlirimit të Kosovës. Ishte një sakrificë, sakrificë, së pari, e atyre njerëzve që dolën vullnetarë dhe erdhën për t’u stërvitur në Shqipëri, sakrificë e atyre pedagogëve që i mësuan, trajnuan, i stërvitën, të cilët nuk e dinin se si do të shkonte Shqipëria dhe kur askush nuk e imagjinonte që më 1999 n ne do të kishim një Kosovë të çliruar”.
Ndërsa nderoi figurën e martirëve të këtij grupi të përgatitur në Tiranë, mes të cilëve ishin edhe Adem Jashari, Ilaz Kodra dhe Sali Çekaj, presidenti Begaj i siguroi pjesëmarrësit në takim për angazhimin e tij në vlerësimin e veprës së ish-luftëtarëve.
“Unë ju siguroj që ju do të keni gjithmonë vëmendjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë. UÇK-ja do të jetë patjetër në vëmendjen e shtetit shqiptar”, tha ai.
Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria do të mbetet një avokate dhe mbrojtëse e Kosovës në çfarëdo lloj rrethane dhe situate, ndërsa kërkoi që dhe Kosova të dëshmojë pjekurinë e duhur për të ecur përpara.
“Vetë shteti i Kosovës duhet të bëjë shumë më shumë për interesat e brendshme të Kosovës. Tani jemi në një situatë që shpresoj të tejkalohet ngërçi institucional për formimin e institucioneve të reja, pasi Kosova e ka shumë të nevojshme, shumë të domosdoshme për t’u promovuar në arenën ndërkombëtare që është e aftë të bëjë shtet-formim dhe të jetë një partner i besueshëm për ata të cilët kontribuuan për shtetin e Kosovës, që janë partnerët tanë strategjik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, tha presidenti Begaj.
Gjatë bashkëbisedimit, ish-luftëtarët sollën përjetimet e atyre viteve dhe vuajtjet që pasuan nga torturat në burgjet jugosllave apo gjatë luftës së UÇK-së, si dhe i përcollën presidentit Begaj mirënjohjen për mbështetjen nga Shqipëria, si dhe për pritjen e rezervuar sot në institucionin e kreut të vendit, raporton KosovaPress./KSP