Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se pa udhëheqjen e amerikane, sot nuk do të kishte një Kosovë të pavarur.
Gjatë pjesëmarrjes në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që këtë vit po mbahet në Dayton të SHBA-së, në 30-vjetorin e marrëveshjes që i dha fund konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë, Begaj tha se kjo marrëveshje i dha fund një lufte brutale në Ballkan.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Daytonit nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”, ka thënë ai.
Begaj ka vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, ndërsa shprehu përkushtimin si anëtare e Aleancës Euroatlantike për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin e NATO-s.
“Le të riafirmojmë angazhimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor, një rajon që nuk mbetet në hijen e së kaluarës së tij, por qëndron në dritën e të ardhmes së vet. 30 vjet më parë paqja u bë e mundur këtu. Tani është detyra jonë të sigurohemi që ajo të bëhet e përhershme”, deklaroi Begaj.