Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka quajtur akt padrejtësie për popullin e Kosovës faktin se shteti ende nuk është anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Begaj ka theksuar se ulësja për Kosovën në këtë forum nënkupton më shumë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor
Mosanëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB) presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka kualifikuar akt të padrejtësisë.
Në fjalimin e tij të mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Begaj ka theksuar se vendi i Kosovës në këtë forum mbetet bosh padrejtësisht.
“Njohja e Pavarësisë së Kosovës, mbështetja për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës, është një hap që forcon edhe më shumë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribut në stabilitetin e Evropës”, ka deklaruar Begaj. “Shtatëmbëdhjetë vjet pasi e shpalli Pavarësinë, Kosova ka dëshmuar përmes veprimeve të saj se është anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare, e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit e vlerave demokratike, me institucione të fuqishme. Kontributi i saj [Kosovës] për bashkëpunim rajonal dhe më të gjerë është i pamohueshëm dhe prapëseprapë ulësja e Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht e zbrazët”.
Begaj ka kërkuar edhe respektim të të drejtave dhe të lirive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Shqipëria kërkon që të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të respektohen, që ata të mos diskriminohen, por të integrohen plotësisht; që gjuha shqipe të përdoret, ndërsa kultura, vlerat, identiteti dhe traditat e tyre të mbrohen dhe të promovohen”, ka shtuar presidenti i Shqipërisë.
Sipas Begajt, Shqipëria është një vend i përkushtuar për paqe, bashkëpunim ndërkombëtar dhe vlera demokratike, me një vizion të qartë për një të ardhme më të drejtë dhe të qëndrueshme.
Begaj e ka konsideruar OKB-në si platformë universale për dialog dhe për bashkëpunim, teksa ka shtuar se Shqipëria është e angazhuar për zgjidhje diplomatike të konflikteve. Në këtë kontekst, ai e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe kërkoi përfundimin e luftës në Gazë. Për Shqipërinë, presidenti nënvizoi aspiratën për t’u anëtarësuar në BE brenda vitit 2030, sikundër reformat e ndërmarra për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe luftën kundër korrupsionit.
“Asnjë komb nuk mund të projektojë një të ardhme të mirë pa vendosur rininë në qendër të strategjive kombëtare. Përmes reformave në arsim, transformimit digjital dhe punësimit, Shqipëria po punon për të zgjeruar mundësitë që të rinjtë të mësojnë të sjellin risi dhe të marrin pjesë plotësisht në shoqëri. Ne besojmë se investimi tek të rinjtë është investimi më i efektshëm për paqe, mirëqenie dhe zhvillim të qëndrueshëm. Sot kemi detyrimin që ne, si gjenerata që trashëguam 80 vjet paqe dhe përparim, të jemi të aftë t’u krijojmë kushtet fëmijëve tanë për një botë të sigurt, në paqe, me dinjitet, bashkëpunim dhe përparim,” ka thënë ai.
Në Asamblenë e Përgjithshme, Kosovën e ka përmendur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas narrativës së njohur se Kosova është “pjesë e pandashme” e Serbisë. Ai po ashtu ka përmendur “rrethanat dramatike”, në të cilat ai ka theksuar se jetojnë serbët në Kosovë.
“Për ne serbët, ajo nuk është thjesht një copë toke, por djep i shpirtit tonë dhe ekzistencës sonë në këtë tokë”, ka thënë ai.
Vuçiqi ka thënë tutje se beson në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai ka shfajësuar veten nga trazirat që kanë ndodhur prej muajsh nëpër Serbi me protestat e nisura nga studentët, të cilët ai i ka quajtur të dhunshme.
Qëkurse e ka shpallur Pavarësinë nga Serbia më 2008, Kosova është njohur nga 119 shtete, shumica dërrmuese e tyre anëtare të OKB-së. Për anëtarësim në OKB nevojitet rekomandim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke pasur në mendje që asnjë prej 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit nuk e përdor veton, dhe rekomandimi duhet t’i marrë votat e një shumice prej dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme.
Anëtarësimin e Kosovës në OKB e bën tejet të vështirë fakti se dy nga pesë anëtarët e përhershëm me të drejt vetoje, Kina dhe Rusia, nuk e njohin pavarësinë e saj dhe janë mbështetëse të Serbisë.
Serbia e ka luftuar në vazhdimësi anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, teksa vazhdon që ta konsiderojë atë si pjesë të sajën.