Arbëri

BE-ja nuk i komenton pretendimet për “dokumente të kornizave të reja” të dialogut

“Si rregull i përgjithshëm dhe si çështje e parimit, ne nuk i komentojmë dokumentet e pretenduara të raportuara nga mediat, as sa i përket autenticitetit e as përmbajtjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano. Ai ka rikujtuar se për pretendimet se është paraqitur një kornizë e tillë ka folur gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë edhe vetë Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi

Në selinë e BE-së në Bruksel nuk dëshirojnë t’i komentojnë raportimet e mediave në rajon për ekzistimin e një kornize të re për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën ditëve të fundit ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ka shkruar sot edhe një portal, duke pretenduar se ka pasur qasje në dokumentin e kësaj kornize.

Nga të gjithë protagonistët e përmendur deri tash si pjesëmarrës në takime ka qenë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i vetmi i cili ka përmendur ekzistimin e një kornize të re të dialogut.

“Si rregull i përgjithshëm dhe si çështje e parimit, ne nuk komentojmë dokumentet e pretenduara të raportuara nga mediat, as sa i përket autenticitetit e as përmbajtjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano.

Ai ka rikujtuar se për pretendimet se është paraqitur një kornizë e tillë ka folur gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë edhe vetë Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi.

Lajçak tha në Prishtinë, ditë më parë, se është i habitur se po përmendet një “armaturë e re” në dialog, për të cilën foli Vuçiqi.

Burimet diplomatike në BE, në kushte anonimiteti, thonë se “nuk janë në dijeni se ekziston ndonjë dokument në formën e shkruar për ndonjë kornizë të re në dialog”, por pranojnë se tash po flitet për një “qasje të re” apo “dinamike të re” dhe për një “strategji të re” në dialog.

Këto burime thonë se “duhet pasur kujdes se mund të paraqiten edhe dokumente anonime që kanë për qëllim edhe keqinformimin e opinionit”.

Sa i përket vizitës së përbashkët të dy këshilltarëve të lartë nga Gjermania dhe Franca, që së bashku me të dërguarin e posaçëm Lajçak kishin pasur në Kosovë dhe Serbi, e gjatë së cilës vizitë sipas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Vuçiq, është “paraqitur një kornizë e re”, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka rikujtuar se cili ka qenë qëllimi i asaj vizite.

“Kjo vizitë ka shërbyer për të çuar mesazhin e qartë se çështjet e vështira politike lidhur me rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës duhet të adresohen me më shumë vendosmëri dhe shpejtësi tash, në mënyrë që të mos ketë hapësirë për përshkallëzimin e situatës në terren”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano.

Ai ka shtuar se kjo vizitë u bë “në dritën e situatës së përgjithshme momentale të sigurisë në Evropë dhe në veçanti të tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Takimet me kryeministrin e Kosovës, Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Vuçiq, kishin zgjatur më shumë se dy orë secili dhe ato kanë qenë diskutime të thellësishme në shqyrtimin e rrugës përpara në dialogun e udhëhequr nga BE-ja drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.