Vizita në Kosovë e emisarit Lajçak të enjten është pjesë e punës së tij dhe BE-ja nuk i paralajmëron doemos të gjitha takimet, ka thënë sot në Bruksel zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano. Ai ka shtuar se çështjet e mbetura në dialog duhet të trajtohen në mënyrë emergjente, krahas marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Takimet në kuadër të dialogut janë të pandërprera dhe ne nuk i paralajmërojmë doemos secilën herë, kanë thënë në selinë e Bashkimit Evropian duke iu përgjigjur edhe pyetjes për vizitën e papritur të enjten të emisarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, në Prishtinë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se është pjesë e punës së Lajçakut që të udhëtojë e të takohet me partnerët në rajon sikur edhe me partnerët në BE e më gjerë dhe BE-ja nuk i paralajmëron a komenton doemos të gjitha këto takime. Ai ka thënë se takimet e fundit që Lajçaku kishte në Kosovë të enjten, janë zhvilluar në kuadër të përpjekjeve për ta çuar përpara procesin e dialogut i cili po ecën drejt vazhdimit të diskutimeve për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve dhe adresimin e çështjeve aktuale të lidhura me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Po ashtu, ka thënë se tash është me urgjencë të adresohen çështjet e mbetura në dialog, sikur edhe marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Duke iu referuar vizitës që më datë 9 shtator në Kosovë dhe Serbi patën Lajçaku dhe dy këshilltarët e lartë diplomatikë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ky zëdhënës tha se ajo vizitë u zhvillua në rrethana e situatës së përgjithshme aktuale të sigurisë në Evropë dhe tensionet e fundit mes Kosovës e Serbisë.
Stano tha se takimet edhe me Kurtin edhe me Vuçiqin kishin zgjatur për më shumë se dy orë secila.
Kjo vizitë ka shërbyer për të çuar mesazhin e qartë se çështjet e vështira politike, lidhura me rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës duhet të adresohen edhe me vendosmëri më të madhe, por edhe më shpejt tash në mënyrë që të mos ketë hapësirë për eskalimin e situatës në terren.
Në selinë e BE-së thonë se tash është urgjente që të ketë qasje paralele në dialog, të diskutohet për çështjet urgjente siç është ajo e targave por edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.